Topi mbështet paktin detar: Qeveria nuk shiti territor shqiptar
Presidenti Bamir Topi mbështet marrëveshjen Shqipëri-Greqi për ndarjen e kufirit detar, duke shprehur besimin se institucionet shtetërore do të dinë të përmbushin me luajalitet misionin e tyre, që në të tilla raste është historik. Bamir Topi i kërkoi opinionit publik të ketë besim tek institucionet negociatore. “I siguroj të gjithë qytetarët e Shqipërisë që të jenë të qetë në të gjitha zgjidhjet institucionale, sepse do të jenë zgjidhje shumë korrekte që edhe në versionin më të papranueshëm, ndokush do të merrte mbi supe përgjegjësi historike”, - deklaroi z. Topi.
Kundërshtarëve të marrëveshjes detare me Greqinë, opozitës dhe grupeve pranë saj, Presidenti i vendit, Bamir Topi, u kujtoi se tashmë nuk jetojmë në kohën e marrëdhënieve të izoluara dypalëshe. Në këtë mënyrë z. Topi reagoi dje për herë të parë për marrëveshjen për kufirin detar me Greqinë, duke hedhur poshtë çdo mundësi manipulimi, pasi, sipas tij, procesi i caktimit të 150 koordinatave të reja ka qenë tërësisht i monitoruar. Z. Topi kërkoi nga opinioni publik që të ketë besim te morali i përfaqësuesve të shtetit shqiptar për sa i përket marrëveshjes detare me Greqinë. Ai shprehu besimin se institucionet shtetërore do të dinë të përmbushin me luajalitet misionin e tyre, që në të tilla raste është historik. Bamir Topi i kërkoi opinionit publik të ketë besim tek institucionet negociatore, pasi askush nuk mund të mbajë përsipër përgjegjësinë e shitjes së territorit. “I siguroj të gjithë qytetarët e Shqipërisë që të jenë të qetë në të gjitha zgjidhjet institucionale, sepse do të jenë zgjidhje shumë korrekte që edhe në versionin më të papranueshëm ndokush do të merrte mbi supe përgjegjësi historike, kështu që kini besim tek morali i përfaqësuesve të shtetit shqiptar. Kjo do të thotë që përtej besimit duhet të ketë një marrëdhënie transparence të plotë, një marrje në konsideratë e ekspertizave në institucione”, - tha Topi. Sipas Presidentit, marrëveshja nuk ka përfunduar ende, ndërsa ai është duke e ndjekur me kujdes çështjen. Topi deklaroi se në këtë çështje ka një transparencë të plotë dhe shqiptarët duhet të kenë besim të shteti. Presidenti Topi reagoi për herë të parë për marrëveshjen me Greqinë për hapësirën detare. “Sot ka kaluar ajo mundësi arkaike për të matur me metër. Kush më shumë sesa vendet e NATO-s kanë teknologjinë më të lartë të matjes së detit?”, - deklaroi z. Topi. Gjatë një takimi me Presidentin hungarez në Tiranë, kreu i shtetit bëri të qartë se kjo marrëveshje nuk ka përfunduar ende, por ai po e ndjek me shumë kujdes këtë çështje. Sipas tij, duhet të ketë një marrëdhënie transparence të plotë në proces. Presidenti i vendit vuri në dukje se procedurat nuk janë finalizuar, por ai përmendi faktin se Shqipëria, Greqia dhe Italia janë vende anëtare të NATO-s dhe ky është një realitet i ri. "Sot nuk jetojmë në kohën e marrëdhënieve të izoluara bilaterale. Ka një realitet të ri dhe Shqipëria, Greqia dhe Italia janë vende anëtare të NATO-s. Sot janë të përparuara teknologjitë për të përcaktuar me saktësi detajet. Procesi do të jetë i monitoruar dhe dua të siguroj qytetarët se zgjidhjet institucionale do të jenë korrekte", - u shpreh Topi. Deklarata e kreut të shtetit, Bamir Topi, u bë paraditen e djeshme gjatë një konference për shtyp me homologun hungarez, Laszlo Solyom, i cili ndodhet në vendin tonë për një vizitë dyditore. Marrëveshja për ujërat detare me Greqinë u firmos mes dy qeverive në 27 prill të këtij viti. Në pritje që Gjykata Kushtetuese të shprehet për të pas ankimimit të PS-së, Parlamenti ka pezulluar shqyrtimin e saj. Marrëveshja për ujërat detare mes Shqipërisë dhe Greqisë u miratua nga Komisioni parlamentar i Ligjeve më 25 shtator, ndërsa pritej të kalonte për miratim në Kuvend më 19 tetor. Ratifikimi është shtyrë për një datë të pacaktuar.