E Diel, 1 Nëntor 2026

Statusi, 45 institucione, gati përgjigjet për 4500 pyetjet e KE-së



Qeveria angazhon 45 institucionet e vendit për t’u dhënë përgjigje 4500 pyetjeve që do të vijnë nga KE-ja brenda një muaji. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, njoftoi dje se në procesin e plotësimit të pyetësorit marrin pjesë të gjitha ministritë, 13 institucione të pavarura, duke përfshirë edhe Parlamentin, ndërkohë që numri mund të rritet edhe më tej si pjesë e procesit të parapërgatitjes për pyetësorin. “Deri me tani, - shtoi Bregu, - janë identifikuar si pjesëmarrës në këtë proces 411 nëpunës civilë të të gjitha niveleve, numri i të cilëve do të vijë duke u rritur. Mbi bazën e një kalendari, tashmë të hartuar nga Ministria e Integrimit, janë grupet e punës, që do të punojnë me orar të zgjatur për të plotësuar dokumentin, mbi bazën e të cilit KE-ja do të vendosë për Shqipërisë kandidate për në BE”. Qeveria “Berisha” është gati për pyetësorin, ndërkohë që ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, informoi dje se është hartuar kalendari për çdo institucion për përgjigjet e pyetësorit. “Koordinimi i këtij procesi do të bëhet nga zyrtarë të lartë, në nivel ministrash, ndërkohë që administrata do të jetë e angazhuar me kohë pa limit deri në përgjigjen e plotë dhe me korrektësi të këtij pyetësori”, - u shpreh znj. Bregu. Qeveria shqiptare duhet të japë përgjigje konkrete për gjendjen e drejtësisë, sigurisë dhe ekonomisë në vend, pasi të tërheqë pyetësorin e Komisionit Evropian brenda këtij viti në vazhdën e aplikimit të statusit kandidat për në BE. Ministrja Bregu informoi se qeveria ka marrë të gjitha masat teknike për sa i përket trajnimit të administratës, e cila do të merret me përgjigjet e pyetësorit. “Ne presim që një pjesë e madhe e pyetjeve, nisur edhe nga eksperiencat e tjera, të jenë në kapitullin e drejtësisë dhe të sigurisë sikurse një numër i madh pyetjesh që do të kthehen në një punë reale, voluminoze dhe konkrete do të ketë pjesa ekonomike, pra e standardit ekonomik”, - theksoi znj. Bregu. “Në parandarjen që ne kemi bërë, - shtoi ajo, - në bazë të një draft-modeli pyetësori kemi identifikuar që institucionet që do të jenë të përfshira në volum më të madh pune, do të jenë Ministria e Ekonomisë, Ministria e Financave”. “Ne, - vijoi Bregu, - presim shumë shpejt, brenda këtij viti, brenda këtij muaji, të ndodhë shqyrtimi i dosjes së Shqipërisë, e paraqitur në prill për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Komisioni Evropian do të marrë kohën e tij të nevojshme për të përfunduar pyetësorin, i cili do t’i dërgohet Shqipërisë dhe ne këtë dokument të rëndësishëm prej 2 mijë e disa pyetjesh shpresojmë ta kemi brenda vitit 2009”, - theksoi ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Nga momenti i tërheqjes se pyetësorit nga Komisioni Evropian, qeveria shqiptare pritet të kërkojë vetëm katër muaj kohë për plotësimin e saj. Lidhur me thirrjen e komisionerit për Zgjerimin, Olli Rehn, për hyrjen e opozitës në Kuvend, Bregu pohoi se toni i ndërkombëtarëve në thirrjen e vazhdueshme që i bëjnë opozitës për të hyrë në Kuvend është në nivel “crescendo” (vjen duke u rritur). “Nuk mund të parashikoj reagimin e opozitës apo të them nëse ajo do të ndërrojë qëndrim sot ose nesër, e vetmja gjë që mund të them, është se kreu i PS-së, Rama, po krijon një situatë anormale që startoi pas zgjedhjeve të 28 qershorit, kur idhnia e tij e humbjes së zgjedhjeve bëri që ai ta zgjedhë dhe përdorë bojkotin vetëm për arsye personale. Them për arsye personale, sepse çdo anëtar i PS-së është i bindur që rruga e kryetarit të tyre, jo vetëm që s’ka gjasa t’i sjellë në pushtet, por s’po i lejon të bëjnë as opozitë”, - deklaroi ministrja e Integrimit.

Pyetësori, fazat e procesit

-Faza fillestare, ajo e zbërthimit të pyetjeve e ndjekur nga

- Hartimi i përgjigjeve

-Analiza e tyre

-Hartimi i variantit final të përgjigjeve

-Përkthimi i centralizuar

-Miratimi i përgjigjeve

-Dorëzimi i përgjigjeve në Bruksel.

Administrata, gati për plotësimin e pyetësorit

Ministria e Integrimit ka përcaktuar planin e plotë të punës që përmban afatet dhe përgjegjësitë respektive të çdo institucioni lidhur me pyetësorin.

1. Në këtë proces janë përfshirë të gjitha ministritë, 13 institucione të pavarura duke përfshirë edhe Parlamentin. Duhet theksuar se institucionet në varësi të ministrive nuk janë llogaritur, d.m.th. departamenti i Administratës Publike nuk është numëruar si institucion më vete, por si pjesë e Ministrisë së Brendshme. Ose, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve konsiderohet si pjesë e Ministrisë së Drejtësisë. Numri i institucioneve që do të kontribuojnë në total do të jetë rreth 45. Ky numër mund të rritet edhe më tej si pjesë e procesit të parapërgatitjes për Pyetësorin.

2. Deri më tani janë identifikuar si pjesëmarrës në këtë proces 411 nëpunës civilë të të gjitha niveleve, numri i të cilëve do të vijë duke u rritur edhe më tej.

Koordinimi i këtij procesi do të bëhet nga zyrtarë të lartë, në nivel ministrash, ndërkohë që administrata do të jetë e angazhuar me kohë pa limit deri në përgjigjen e plotë dhe me korrektësi të këtij pyetësori.

Qeveria, koordinim pune me BE-në dhe KE-në

Për koordinimin dhe monitorimin e procesit të përgjigjeve të pyetësorit, paralelisht me strukturat në misionin tonë në BE dhe delegacionin e KE-së në Tiranë, është riorganizuar e gjithë Ministria e Integrimit.

Janë ngritur grupet ndërinstitucionale të punës dhe grupet në ministritë e linjës dhe institucionet e tjera për koordinimin dhe hartimin e përgjigjeve.

1. Kanë filluar takimet informuese dhe ndërgjegjësuese në lidhje me rëndësinë e pyetësorit dhe realizimit me sukses të kësaj detyre nga administrata shqiptare. Këto takime janë drejtuar nga ministri i Integrimit.

2. Janë hartuar rregullat e funksionimit të grupeve të punës.

3. Është hartuar metodologjia e hartimit të përgjigjeve, e cila përcakton hapat në të cilët do të kalojë hartimi i përgjigjeve dhe mënyra e formulimit të përgjigjes në aspektet e përmbajtjes dhe formës.

4. Është hartuar kalendari për afatet e përgjigjes nga çdo institucion për pyetjet e pyetësorit si dhe për përkthimin e këtyre pyetjeve.

5. Është duke u dizenjuar në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit sistemi i menaxhimit të kompjuterizuar të procesit dhe informacionit. Ky sistem i kompjuterizuar do të përfshijë të gjithë aktorët në këtë proces dhe përbën një risi në mënyrën e organizimit dhe koordinimit të administratës shqiptare.

Bregu: Brenda 2010-s, Shqipëria, vend kandidat për në BE

Qeveria shqiptare beson se Shqipëria mund të jetë vend kandidat brenda vitit 2010. Këtë e bëri dje të ditur ministrja e Integrimit, znj. Majlinda Bregu. Ajo shpjegoi procedurat që do të ndiqen për statusin e vendit tonë. “Marrja e statusit të vendit kandidat vjen pasi janë vlerësuar përgjigjet e pyetësorit. Këshilli i Ambasadorëve ka vendosur dje në mënyrë unanime që shqyrtimi i kërkesës për anëtarësim të Shqipërisë të kalojë në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave të BE-së. Kjo kërkesë do t’i kalojë më pas Komisionit për të përgatitur një opinion për vendin tonë, një vlerësim se sa Shqipëria ka përmbushur kriteret për të qenë vend kandidat”, - deklaroi ministrja Bregu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›