E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statusi i minatorit, sindikata: Do rinisim protestat

Plot 660 minatorë, në minierën e Bulqizës, kërcënojnë me rinisjen e protestave. Sipas kryetarit të sindikatës së minatorëve, Dilaver Përkoxha, shkak për rinisjen e protestave të minatorëve, është bërë mungesa e dhënies së statusit për ta. "Statusi na është premtuar në vazhdimësi nga qeveritarët, por deri tani, asgjë nuk është bërë", shprehet ai. Edhe vetë Presidenti Topi, gjatë një vizite në Bulqizë, në muajin shkurt, në një takim me minatorët, premtoi dhënien e këtij statusi, por asgjë nuk ka ndryshuar. "Ndaj më 13 prill, kemi njoftuar drejtorinë e minierës, për rinisjen e protestave tona", pohon Përkoxha.

Që nga e premtja e javës së kaluar vazhdon një tjetër protestë. Ajo e 74 minatorëve të Zonës D, të cilët janë pezulluar nga puna në galeritë e kësaj zone, në bazë të urdhërit të ministrit Ruli, për mungesë të kushteve të sigurisë në punë. Tani vjen kërcënimi për rinisjen e një tjetër proteste. Këtë herë të përgjithshme, të minatorëve. Në fillimin e javës së kaluar, minatorët rinisën protestat, në mbështetje të 74 minatorëve të Zonës D, të cilat zgjatën vetëm 3 ditë dhe punonjësit e nëntokës ju kthyen galerive, me premtimin se kolegët e tyre të dalë si të papunë nga bllokimi i galerive të kësaj zone, do të sistemohen në pjesën veriore të minierës. Por minatorët, nuk pranojnë të braktisin galeritë, ku punojnë prej vitesh, ndaj prej 5 ditësh ata vazhdojnë të protestojnë para galerive të punës. Irritimi i tyre ndaj qeverisë, sa vjen dhe shtohet. "Na thonë të lëmë galeritë, se kanë rrezik shembje, thotë Sami Koka, njëri nga minatorët protestues, por si mund ta besojmë ne këtë, kur privatët e palicencuar, vazhdojnë të punojnë në galeritë e tyre, të cilat janë në të njëjtin vend me galeritë tona". Ndërsa minatorët, Agron Shabani dhe Mensur Hoxha, kërcënojnë me grevë urie deri në vetëflijim, në rast se nuk do të lejohen të punojnë në këto galeri, pasi sipas tyre, nuk mund tua lënë ata privatëve të palicencuar, që po nxjerrin fitime të majme nga shfrytëzimi i jashtligjshëm. Adem Gjoka, një tjetër minator, thotë se ka 17 vjet, që punon në këto galeri dhe vetëm i vdekur i braktis ato, që të shfrytëzohen nga të tjerë, që i janë sulur Zonës D, si asnjëherë tjetër dhe askush nuk kujtohet t‘i frenojë nga ky shfrytëzim i jashtëligjshëm. Përfundimisht, në pjesën qendrore dhe jugore, të Minierës së Bulqizës, vazhdon të mbretërojë një situatë tepër kaotike, ku gjithçka pritet të sqarohet në ditët në vazhdim.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›