E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Inflacioni prek rekordin, 4,6%

Çmimet e artikujve bazë të konsumit kanë vijuar të rriten edhe në muajin mars. Kostoja e jetesës për shqiptarët sa vjen dhe rritet, e këtë fakt e vërteton raporti i fundit i INSTAT-it. Sipas tij, Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin mars 2008 arriti 102.4 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007, duke shënuar një rritje prej 0.9 për qind krahasuar me muajin e kaluar. Në krahasim me muajin mars të vitit të kaluar, çmimet kanë pësuar një rritje prej 4.6 për qind, ndërsa një vit më parë, ky ndryshim ishte 2.7 për qind. Rritja e çmimeve në krahasim me një vit më parë identifikon më së miri nivelin e inflacionit në vend, i cili regjistron vlera rekord. Tashmë me nivelin prej 4,6 përqindësh, nga 3 për qind të synuar nga Banka e Shqipërisë, detyron këtë të fundit të vihet në lëvizje me mekanizmat e saj, edhe pse e kishte parashikuar një rrije të tillë çmimesh.

Çmimet

Sikurse është vënë re në muajt e kaluar, edhe në mars, çmimi mesatar për grupin "Ushqime dhe pije jo alkoolike" ka shënuar një rritje prej 0.7 përqindësh, i cili ka ndikuar me 0.3 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Sipas INSTAT-it, rritja më e madhe prej 4.8 për qind vërehet te frutat, ku mund të përmendim rritjet e çmimeve të kivit me 16.9 për qind, mollëve me 5.4 për qind, portokalleve me 4.4 për qind dhe bananeve me 3.7 për qind. Për sa i përket zarzavateve, rritja e çmimit regjistron nivelin prej 1 për qind, ku bie në sy rritja e çmimit të lulelakrës me 31.4 për qind, lakrës me 24.6 për qind, domateve me 10.5 për qind etj. Gjatë muajit mars çmimet janë rritur edhe në disa nëngrupe të tjera të këtij grupi, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupet, "vajra dhe yndyra" me 0.5 për qind, "bukë e drithëra" me 0.5 për qind, "peshk" me 1.2 për qind. Ndërsa çmimet në nëngrupin "qumësht, djathë e vezë" shënuan një ulje prej 0.5 përqindësh. Ndryshe paraqitet situata tek artikujt e veshjeve, çmimet e të cilave kanë pësuar rënie prej 0.8 për qind. Kurse në grupin "Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji", çmimet kanë shënuar një rritje prej 3.8 për qind, duke pasur një ndikim prej 0.6 përqindësh në totalin e ndryshimit mujor. Sipas INSTAT-it, në këtë grup ka ndikuar dukshëm çmimi i energjisë elektrike, që në muajin mars 2008 shënoi një rritje prej 23.7 përqindësh. Nuk kishte sesi të mos pësonin rritje të çmimit dhe grupi i "transportit", i cili si lëndë të parë përdor karburantin. Për këtë sektor, çmimet kanë shënuar rritje prej 0.8 përqindësh, duke pasur një ndikim prej 0.05 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Gjatë muajit mars çmimi i naftës shënoi një rritje prej 1.4 për qind dhe çmimi i benzinës u rrit me 0.5 për qind. Çmimet e artikujve të tjerë kanë pësuar rritje nga 0.1 për qind deri në 0.3 për qind.

Ndryshimi i çmimeve në krahasim me vitin e kaluar 03-08 03-07

Rritja mesatare për të gjithë artikujt 4.6

Ushqime dhe pije joalkoolike 7.7
Ushqime 8.1
Bukë dhe drithëra 31.6
Mish 1.1
Peshk 3.9
Qumësht, djathë dhe vezë 8.1
Vajra dhe yndyra 18.9
Fruta 15.4
Zarzavate përfshirë patate -10.0
Sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira. 0.2
Pije joalkoolike 0.8
Kafe, çaj dhe kakao 1.4
Pije alkoolike dhe duhan 3.7
Veshje dhe këpucë -1.8
Furnizim me ujë 11.4
Lëndë djegëse dhe energji 14.6
Shërbime mjekësore 4.7
Shërbime spitalore 0.4
Transport 5.6
Shërbime ndaj mjeteve personale të transportit 11.8
Shërbime transporti 6.8
Argëtim dhe kulturë -2.2
Shërbimi arsimor -0.3
Hotele, kafene dhe restorante 5.0



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›