Komisioni i Venecias: Të tregohet kujdes me teknologjinë në zgjedhje
Mbyll punimet aktiviteti mbi trashëgiminë zgjedhore evropiane
“Në dhjetë vitet e aplikimit të tij konsiderohet si një histori suksesi Kodi i Praktikës së Mirë të çështjeve Zgjedhore i Komisionit Evropian për demokraci përmes Ligjit, Komisioni i Venecias. Ky është konkluzioni i tryezës së që u mbajt në Tiranë për trashëgiminë elektorale evropiane, si aktivitet në kuadër të presidencës shqiptare të Këshillit të Evropës”.
Politika shqiptare ka hartuar kodet e saj zgjedhore dhe atë që është në proces përfundimi pikërisht bazuar mbi këshillat dhe praktikat e mira që sugjeron Komisioni i Venecias dhe mbi rekomandimet e organizatës që vëzhgon zgjedhjet në Shqipëri OSBE/ODIHR. Edhe aplikimi i teknologjisë në procese zgjedhore gjen bazë tek Kodi i Praktikës së Mirë, i cili krahas avantazheve sugjeron kujdes maksimal dhe masa paraprake për të minimizuar rrezikun e mashtrimit.
Gjatë punimeve të kësaj konference morën pjesë Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Ambasadori i Prezencës se OSBE-se Eugen Wollfarth, Kryetari i KQZ, Arben Ristani, anëtarë të Komisionit të Venecias, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, drejtues të NGO-ve për zgjedhjet, trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, etj. Diskutimet e Konferencës përfshinë rolin dhe efektshmërinë e Kodit të Praktikave të mira në këto 10 vite që nga krijimi i tij në fushën e zgjedhjeve në Evropë, fushat që kishin të bënin me administratën zgjedhore, regjistrimin e zgjedhjeve, financimet publike, mënyrën e votimit, procedurën e zgjedhjes së rezultatit etj.
Në fund të konferencës, anëtarët pjesëmarrës dolën në disa konkluzione, të cilat iu bënë të njohura mediave nga deputeti Viktor Gumi.
Ai tha se “kodi i praktikave, përbën një dokument themeltar të Komisionit të Venecias në fushën e Zgjedhjeve dhe është një nga dokumenteve më kryesorë në fushën e zgjedhjeve në Evropë. Reputacioni i tij është i padiskutueshëm, ai tashmë është një fakt, është i pakontestueshëm nga aktorët politikë si dhe ka reputacion edhe përtej kufijve evropianë. Ndonëse sot kodi i praktikave të mira kaloi moshën 10 vjeçar ai nuk është një dokument që ka dalë jashtë mode përkundrazi nga viti në vit ai është bërë një dokument orientues, pikë orientimi për legjislacionet sikur edhe dokument vlerësues për standardin e legjislacionit zgjedhor në vend të caktuar por edhe të zhvillimit të zgjedhjeve në atë vend. Kodi i praktikave të mira në çështjet zgjedhore është dokumenti kryesor ku mbështeten sot në kuadrin rajonal evropianë, reformat për të përmirësuar apo për të hartuar ligj të ri të zgjedhjeve. Kodi i praktikave të mira përdoret nga vëzhguesit ndërkombëtar dhe ata vendorë si një dokument i rëndësishëm pune. Kodi i praktikave të mira është kryefjalë dhe përdorim nga administrata zgjedhore në vendet evropiane, nga trupat zgjedhore që shqyrtojnë ankimimet zgjedhore, nga shoqëria civile por edhe nga mediat. Veçanërisht gjykata evropiane e të drejtave të njeriut i ka kushtuar një vend të veçantë në çështjet që shqyrton sipas juridiksionit të saj”, u shpreh Gumi.
Ai theksoi se Kodi i Praktikave të mira përbën një dokument unik, të aplikueshëm dhe të vlefshëm edhe në rastin e zhvillimeve më të fundit siç mund të jetë rasti i përdorimit të teknologjive të reja në fushën e zgjedhjeve.
“Me gjithë arritjet e deritanishme ende vërehet se ka vend për zbatim dhe përmirësim në të drejtën e brendshme të kodit të praktikave të mira. Ne identifikuam veçanërisht fushat që kishin të bënin me administratën zgjedhore, regjistrimin e zgjedhjeve, financimet publike, mënyrën e votimit dhe procedurën e zgjedhjes së rezultatit. Historia e Kodit të praktikave është një histori suksesi. Veçanërisht kjo theksohet në 10 vjetorit e krijimit të tij, suksesi i tij përbën edhe një garanci të suksesit të tij në vitet e ardhshme. Unë besoj dhe vlerësoj se konferenca dy ditore e zhvilluar në Tiranë mund të konsiderohet si një konferencë e suksesshme. Besoj në suksesin e kësaj konference ku tre janë faktorët kryesorë, së pari janë prezantuesit, ata që mbajtën temat e caktuara në këtë konferencë me përgatitjen e tyre profesionale dhe me nivel të lartë teknik. Komentet, diskutimet e anëtarëve dhe pjesëmarrësve ishin një vlerë e shtuar e këtij takimi”, theksoi ai.
Aktiviteti dyditor u mbajt dhjetë ditë para përfundimit të afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore.
Kryetarja e Kuvendit Topalli dhe Ambasadori i OSBE-së Wolfarth ishin në unision kur bën thirrje që vija e finishit erdhi dhe reformat duhen mbyllur me mbylljen e sesionit. Në të njëjtën ditë kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e mazhorancës për ta kryer këtë proces, madje dhe për t’u takuar me kreun e opozitës nëse do takimi do të ishte nxitje më e fortë. Ekspertët vijojnë të jenë në kontakt, por që nga rimandatimi i tij komisioni ka zhvilluar vetëm një mbledhje pa rezultat.