Basha: Jemi të vendosur për destinacionin final, anëtarësimin në BE
Themelimi i BE, Bashkia e Tiranës organizon maratonën “Vrapo drejt Evropës”
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha iu bashkua dje maratonës së zhvilluar në Ditën e Europës me moton “Vrapo drejt Europës”. Zoti Basha i është bashkuar së bashku me ambasadorin e Komisionit Europian z. Ettore Sequi, garës me biçikleta. Ministrja e Integrimit zonja Bregu dhe Nënkryetarja e Bashkisë zonja Tabaku u bënë pjesë e garës së vrapimit. Në mesazhin e tij në këtë ditë, zoti Basha theksoi vendosmërinë dhe angazhimin, për të ndërtuar Tiranën europiane. “Çfarë mund të themi në këtë ditë që hap siparin e muajit të Europës, përveçse jemi krenarë dhe të privilegjuar që ndodhemi sot këtu së bashku, me kaq shumë energji, me kaq shumë optimizëm, duke përfaqësuar denjësisht zemrën e Tiranës, zemrën e kryeqendrës së shqiptarëve!? Rruga jonë nuk ka qenë e lehtë, madje shpesh me pengesa, por ne jemi të vendosur për të vrapuar, ashtu siç ju bëtë sot, për të kaluar çdo pengesë dhe për të ndërtuar këtu në Tiranë, atë që kemi ëndërruar e dëshiruar 22 vjet më parë nëpër rrugët dhe sheshet e këtij qyteti. Kjo dëshirë, ky shpirt dhe energjia juaj e shton optimizmin tim, se në një kohë të shkurtër do të vendosim standardet europiane në Tiranë, do të ndërtojmë Tiranën europiane, Tiranën e shekullit të 21-të” - u shpreh kryebashkiaku Basha. Ai tha se energjia e këtyre të rinjve përfaqëson energjinë shqiptare, për të vrapuar drejt destinacionit final, anëtarësimit në BE. “Ky shpirt i shpresës dhe optimizmit që ju demonstroni këtu, është inkurajimi dhe mesazhi më i madh për të gjithë ata që janë skeptikë, për punën dhe të ardhmen tonë. Ne sot vrapojmë të lirë në gjithë hapësirën “Schengen”, ne sot vrapojmë me shpirtin e shpresës drejt Europës, pasi ky është finishi ynë, ky ka qenë dhe është destinacioni ynë dhe që sot është më pranë se kurrë dhe ne jemi të vendosur për të vrapuar pa u lodhur, drejt stacionit të fundit” - deklaroi më tej z.Basha.
Ambasadori Sequi: E ardhmja e Shqipërisë është në BE/Shefi i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi u shpreh dje se e ardhmja e Shqipërisë është Bashkimi Europian. Gjatë aktivitetit të mbajtur për Ditën e Europës, Sequi tha se vizioni i Shqipërisë, është ai i integrimit në BE. Ai falënderoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha për organizimin e këtyre evenimenteve sportive, për “Ditën e Evropës”. “Europa nuk është thjesht “dokumenta” dhe gjëra që duhen arritur por është edhe ky shpirt, frymë për Europën, ka të bëjë më të jetuarit në mënyrë të shëndetshme, mjedisin, me këtë entuziazëm që ju keni treguar të gjithë këtu sot. Përpara se t’i kaloj fjalën Kryetarit të Bashkisë, dëshiroj t’ju falenderoj të gjithë, natyrisht në fillim do të doja të falenderoja autoritetet shqiptare, vetë Kryetarin e Bashkisë i cili mundësoi këtë event, Ministrinë e Integrimit, të gjithë miqtë, sportistët që morrën pjesë, të rinjtë” - tha ai. Sequi mori pjesë gjithashtu dhe në aktivitetin e mbajtur në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku ishin të pranishëm autoritete të larta shtetërore, dhe ku vihej re prania e kryeministrit Sali Berisha dhe kryesocialistit, Edi Rama tha se objektivi për të hyrë në familjen e madhe Evropiane nuk është i lehtë, por që mund të arrihet. Në përshëndetjen e tij, Sequi tha: “Cila është e ardhmja për Shqipërinë, një Shqipëri në BE, dhe që do të ketë përfaqësuar dhe vlerat dhe standardet që përfaqësojnë atë. Mos jam gjë naiv, jo kam besim, jam në dilemë, jo kam besim, jam i verbër, jo kam vizion. Besoj se këtë vizion e ndajmë të gjithë bashkë”- theksoi Sequi. Sipas tij, “Evropa mbi të gjitha është sot një histori e hapur, për arsye se të gjitha vlerat janë më të rëndësishme se kufijtë. Evropa është një ëndërr që është bërë realitet, dhe mund të bëhet se mund ta udhëheqim vetveten nga vlerat. Vizioni është se Evropa është Evropë dhe kjo është Evropa si një objektiv kombëtar i një popull kaq fisnik sa shqiptarët, Unë e di që objektivi nuk është i lehtë, por për gjërat që do të arrihen”- përfundoi fjalën e tij ambasadori Sequi.