Shkëmbi i Kavajës, radhë kilometrike automjetesh
PUNIMET/ Shoferët shprehen se iu duhet të presin një kohë shumë të gjatë për të kaluar në zonën ku kryhen punimet
Zgjerimi i aksit Plepa - Kavajë - Rrogozhinë duhet të kishte përfunduar në qershor, por ende punimet vazhdojnë
KAVAJË - "Nëse nisesh për në jug apo për në veri, fillimisht duhet të bësh llogaritë se si do të jetë gjendja në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Jo rrallë kam kaluar mbi 2 orë në këtë vend". Janë këto fjalët e një shofereje nga Lushnja.
Një radhë makinash të bllokuara në një gjatësi prej disa kilometrash është ajo çka vërteton edhe këto fjalë. tij. Bllokimi në aksin Plepa - Rrogozhinë në orët e mesditës ka qenë i tillë që as policia rrugore nuk ka mundur t'i japë një zgjidhje. Sipas kësaj të fundit, shkak ka qenë bllokimi i rrugës nga punimet që kryhen gjatë ditës prej makinerive të firmës tenderuese.
Punimet kanë arritur në pikun e tyre dhe kur rritet fluksi i mjeteve që kryqëzohen në Durrës, në shtegtimin e tyre nga jugu në veri dhe anasjelltas, numri i mjeteve është i madh dhe kryqëzimi në rrugët ku punohet, sjell si pasojë edhe bllokimin për orë të tëra. Ky fenomen ka ditë që përsëritet dhe shqetësimi, me gjithë ankesat e shumta, ka mbetur i pazgjidhur ende.
Punimet në këtë aks të rëndësishëm ku po bëhet zgjerimi i rrugës Plepa- Kavajë -Rrogozhinë duhej të kishin përfunduar rreth 6 muaj më parë, por ato vazhdojnë ende të bllokojnë për orë të tëra trafikun. Drejtuesit e mjeteve janë të shqetësuar pasi humbasin shumë kohë.
Ankesat e drejtuesve
Edmond Lala nga qyteti i Tepelenës thotë se do të shpinte në aeroportin e Rinasit një njeri të vetin, por kishte mbetur i bllokuar.
"Avioni nuk e di se rrugët në Shqipëri nuk funksionojnë, - thotë ai gjithë nerva. - Këtu qenka ibret. Të paktën të na lajmërojnë në media për oraret kur mund të kalojmë, që edhe ne të dime se kur t'i planifikojmë udhëtimet."
Një biznesmen nga Maqedonia, Rizvan Shehu, tha se ishte nisur nga Shkupi për një takim biznesi në Tiranë, por orari i kishte kaluar dhe nuk e dinte nëse do të mund të arrinte të realizonte takimin për të cilin kishte ardhur.
Ai thotë se agjenda e vet ka dalë jashtë loje, pasi vonesa ka bërë që asnjë orar të mos respektohet. "Dhe gjithë ky tersllëk, - thotë ai, - vjen për pakujdesinë e shtetit me këtë rrugë. Mendova se sëmundja e verës do të ishte shëruar me kohë.
Të njëjtin problem ngre edhe shoferi i një kamioni nga Durrësi, T.Marko, i cili ishte nisur për të shkuar në Kosovë nga rruga e Maqedonisë. "I është bërë m... rrugëve, - thotë i nervozuar.
- Nga rruga e re e Kalimashit nuk shkohet se është shembur tuneli, ndërsa këtej rrimë me orë të tëra e presim. Për sot e kam humbur shkarkimin në Kosove", dhe i fut një sharje në zhargon të paadresuar.
Bllokimi
Bllokimi vazhdoi me orë të tëra dhe disa punonjës të policisë rrugore u shprehën se ndiheshin të pafuqishëm për ta administruar të gjithë rrëmujen dhe kaosin e krijuar në këtë aks.
E keqja është se në rrugën nacionale Plepa - Kavajë prej disa muajsh punohet dhe bllokimi i trafikut nuk ishte problem vetëm në verë, por edhe tashmë në fillim të dimrit. Pamjet e djeshme, ku me qindra automjete janë detyruar të presin në një varg kilometrik, tregojnë realitetin e hidhur.
Shkaku është zvarritja e punimeve nga firma zbatuese e projektit. "Punimet, - thonë shoferët e bllokuar në trafik, - deri tani janë zhvilluar me ritme shumë të ngadalta nga ana e firmës zbatuese". Sipas kontratës, punimet në këtë aks duhet të përfundonin më 30 qershor.