Ndërkombëtarët: Bojkoti i Edvinit po dëmton interesat e shtetit shqiptar

Ambasadorët e Trojkës evropiane i kanë deklaruar dje kryeparlamentares Topalli se mbështesin kthimin e opozitës, pa kushte, në parlament, pasi bojkoti i opozitës nuk është në interes të integrimit të vendit në BE. Ambasadori Withers konfirmon se bojkoti i bojkoti i opozitës, pa asnjë ekuivok, nuk ishte në interes të Shqipërisë
Presioni ndërkombëtarë ndaj Edi Ramës dhe forcës politike që përfaqëson është gjithnjë e në rritje, teksa SHBA-të, jo vetëm nëpërmjet përfaqësuesit diplomatik në Tiranë, por dhe zyrtarëve të lartë të Pentagonit, kanë shprehur shqetësimin e tyre ndaj kësaj situate të paprecedentë dhe njëherazi të pajustifikueshme. Kësisoj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë zgjidhjen përfundimtare të krizës politike në vend, duke e kërkuar këtë fillimisht nga pala opozitare, e cila po luan me bojkotin e tej zgjatur. Përmes përfaqësuesit në Tiranë, John Withers, SHBA bën me dije se bojkoti i opozitës nuk është aspak në interes të vendit.
Ambasadori Amerikan John Withers së bashku dhe me ambasadorët e trojkës Evropiane zhvilluan dje një takim me kryetaren e parlamentit Jozefina Topalli. Takimi, i cili u mbajt në kryesinë e Parlamentit dhe që zgjati më shumë se një orë, kishte në fokus të bisedës situatën aktuale politike.
Në takim ishin të pranishëm dhe ambasadori suedez, ai spanjoll si dhe ambasadori i KE-së Helmut Lohan, si dhe ai i OSBE-së Robert Bosch.
Pas takimit, në një prononcim për median i deleguari i Washingtonit në Tiranë bëri thirrje për t’i dhënë fund krizës politike dhe ftoi opozitën të ndërpresë bojkotin.
“Patëm një takim vërtet informues dhe produktiv me kryetaren e Kuvendit. Do të doja që ajo ta karakterizonte përmbajtjen dhe natyrën e këtij diskutimi, por unë do të doja të tërhiqja vëmendjen tuaj për një çështje tjetër: siç mund të keni parë raportimet e shtypit sot, në lidhje me pozicionin e qeverisë amerikane, mbi bojkotin aktual të opozitës. Qëndrimi ynë në të vërtetë është që për të mirën e gjërave dialogu të mund të zhvillohej mes aktorëve politike për të prodhuar një kompromis, që mund t’i jepte fund këtij ngërçi politik. Mendoj se ne të tërë ndjejmë që duke mos pasur opozitën në Parlament, kjo nuk është një gjë e mirë për vendin në tërësi, ne duam ta shohim këtë të zgjidhur, por ne mendojmë se është absolutisht vitale që kjo është një çështje që duhet të zgjidhet nga lidershipi politik shqiptar. Ne duam t’i jepet fund krizës politike. Bojkoti i opozitës nuk është në interes të vendit”, tha Withers.
Diplomati amerikan inkurajon përfaqësuesit politik të të gjitha krahëve, që të zgjidhin brenda çdo afati kohor problematikën politike të lindur nga opozita.
“Rëndësi jetësore [që të kuptohet] që kjo është diçka që duhet ta zgjidhë udhëheqja politike shqiptare. Shpresojmë që do të mund ta zgjidhin mes tyre dhe që gjërat të kthehen në rrugën që duhet të jenë. E theksojmë, bojkoti i opozitës nuk është në interes të vendit”, u shpreh diplomati amerikan.
Takimi zhvillohet në një situatë politike ku Partia Socialiste vazhdon të mos hyjë në Parlament, pavarësisht thirrjes së ndërkombëtareve për të ndërprerë bojkotin. Mesazhi u dha këto ditë dhe nga Komisioneri për Zgjerimin e BE-se Oli Rehn, ndërkohë që reagime të ashpra ka pasur edhe në Parlamentin Evropian.
Sikur të mos mjaftonin këto, opozita dhe Edi Rama, u justifikuan para medieve, duke aluduar se këto deklarata janë keqkuptuar. Kundërpërgjigje kjo, po aq mizore sa edhe vendimi personal i Edvinit, për të bojkotuar kuvendin, pa shkak, pa arsye, thjesht e vetëm se ashtu i thotë mendja atij.