E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statusi, sot afati i fundit për miratimin e 3 ligjeve në Pralament

Tiranë- Seanca e sotme parlamentare do të jetë vendimtare për miratimin e tre ligjeve të shumëkërkuara nga Bashkimi Evropian, pasi është afati i fundit.

Pritet që të ketë debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës, pasi kjo e fundit ka deklaruar se nuk do ta votojë ligjin për Gjykatën e Lartë, statusin e nënpunësit civil dhe rregulloren e parlamentit, nëse nuk zgjidhet ngërçi i krijuar në qarkun e Fierit.

Opozita pak ditë më parë kërkoi që të ulen në bisedime dhe të flasin për të gjetur një zgjidhje të përbashkët, por kryeministri Berisha dje gjatë mbledhjes së qeverisë e refuzoi këtë kërkesë duke thënë se ai nuk mund të bisedojë për një problem që është zgjidhur nga gjykata.

Pas tij reagoi kreu i opozitës, Edi Rama, i cili e bëri të qartë se deputetët socialistë sot nuk do ta japin votën pro për miratimin e ligjeve duke thënë se statusi kandidat nuk varet vetëm tek miratimi i tyre. Ai u shpreh se opozita nuk kërkon që të vendoset në krye të Këshillit të Qarkut përfaqësuesi i saj, por të zgjidhet ngërçi i krijuar.

Ndërkohë gjatë kësaj jave ka patur apele edhe nga ndërkombëtarët, të cilët kërkojnë bashkëpunim dhe miratimin e ligjeve pasi ky do të jetë një hap i rëndësishëm për marrjen e statusit kandidat.
/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›