Statuti, detyrat e Asamblesë së PS-së
Në bazë të statutit, Asambleja e PS-së përfshin një sërë detyrash të rëndësishme
TIRANË - Sipas statutit të Partisë Socialiste, Asambleja Kombëtare e PS-së, e cila do të mblidhet paraditen e sotme, ka një sërë funksionesh të rëndësishme. Neni 26 i statutit të PS-së përcakton qartë detyrat e saj, duke nisur nga ato të kryetarit, të gjithë kryesisë, por edhe strukturave të veçanta të partisë.
"Kur vendi i kryetarit të Partisë mbetet vakant, Asambleja Kombëtare mblidhet brenda 15 ditëve dhe thërret brenda 30 ditëve Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë për administrimin e kandidaturave dhe caktimin e datës së votimit për zgjedhjen nga anëtarësia të kryetarit të ri të Partisë, e cila nuk duhet të jetë më vonë se një muaj nga data e zhvillimit të kongresit. Asambleja Kombëtare e PSSH-së zgjedh kryesinë e PSSH-së.
Numri i anëtarëve të kryesisë miratohet nga Asambleja Kombëtare me propozim të kryetarit të Partisë. Kryetari i PSSH-së paraqet listën e plotë me kandidatura për anëtarë të Kryesisë së PSSH-së. Asambleja Kombëtare e PSSH-së ka të drejtën e propozimit të kandidaturave shtesë deri në 1/3 e listës së paraqitur. Çdo kandidaturë shtesë mbi listën e propozuar për anëtar të Kryesisë së PSSH-së, duhet të ketë mbështetjen e 10% të anëtarëve të AK-së",- thuhet në statut. Ndërkohë, Asambleja, me propozim të kryetarit të Partisë, miraton numrin dhe strukturën e sekretariatit. Kryetari i Partisë paraqet për miratim kandidaturat për sekretarë të PSSH-së për secilin post.
Një tjetër detyrë e Asamblesë së PS-së është edhe organizimi dhe drejtimi i institucioneve qendrore të partisë. "Asambleja vendos për zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme e të zgjedhjeve vendore në parti. Rregullat dhe procedurat e zgjedhjeve në strukturat e partisë, procedurat e votimit, ngritja dhe funksionimi i organizmave për përgatitjen dhe administrimin e zgjedhjeve përcaktohen në Kodin e Zgjedhjeve në PSSH, që miratohet prej saj.
Krijon komisione të përhershme dhe të përkohshme pune me anëtarë të partisë e përkrahës të saj, për të studiuar e zgjidhur probleme teorike, politike e organizative. Komisionet e përhershme raportojnë para saj për punën e tyre, si rregull një herë në vit; miraton programin elektoral të Partisë",- thuhet në statut.
Neni 24
Asambleja Kombëtare e PSSH-së, përbërja
Kongresi përcakton numrin e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PSSH-së.
Kryetari i PSSH-së, anëtarët e partisë që kanë pasur mandat të kryetarit të Partisë, të Presidentit të Republikës, të Kryeministrit, të Kryetarit të Kuvendit, deputetët anëtarë partie, si dhe Kryetari i FRESSH-it, Kryetarja e FGSSH-së, janë drejtpërdrejt anëtarë të AK-së të PSSH-së.
Numri i anëtarëve që hyjnë drejtpërdrejt nuk duhet të përbëjë mbi 40 për qind të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PSSH-së.
Anëtarët që hyjnë drejtpërdrejt në përbërje të Asamblesë Kombëtare nuk përfshihen në listat e votimit për t'u zgjedhur në Kongres.
Neni 25
Funksionimi i Asamblesë Kombëtare
Asambleja Kombëtare i zhvillon punimet e funksionon në bazë të rregullores, e cila miratohet prej saj.
Asambleja Kombëtare mblidhet jo më rrallë se një herë në 3 muaj. Mbledhja e AK-së thirret me kërkesë të kryesisë, të kryetarit të PSSH-së, ose të jo më pak se 1/3 së anëtarëve të saj.
Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare kanë të drejtë të marrin pjesë deputetët socialistë jo anëtarë partie, kryetari i KGS-së, kryetari i KZP-së, kryefinancieri, kryetari i KQR-së.
Asambleja Kombëtare, me propozim të kryetarit të Partisë zgjedh kryetarin e saj. Kryetari i AK-së drejton mbledhjen, ndjek zbatimin e vendimeve dhe koordinon veprimtarinë e AK-së dhe të komisioneve të përhershme pranë saj.