Vdesin dy dasmorë, plagosen gjashtë të tjerë
AKSIDENTET
Ngjarja e djeshme ndodhi për shkak të përdorimit të alkoolit në sasi të madhe të drejtuesit të mjetit
Kryepolici i Durrësit reagon në një konferencë shtypi, për masat dhe hetimet për dy incidentet e fundit në këtë rreth
DURRËS- Një tjetër aksident në Maminas dhe sërish në autostradën Tiranë-Durrës. Këtë radhë dy vetë kanë humbur jetën, ndërsa gjashtë janë plagosur, teksa mësohet se edhe në këtë rast viktimat ishin dasmorë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30 të ditës së hënë, teksa tetë personat, banorë të Kamzës po ktheheshin për në banesat e tyre.
Sasia e madhe e alkoolit e konsumuar nga drejtuesi i automjetit mësohet të ketë qenë shkak për përplasjen e fuoristradës dhe kryerjen e një saltoje që ka çuar në vdekjen e dy prej pasagjerëve që ndodheshin brenda saj.Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se gjithçka ka ndodhur pak pasi ka kaluar dita e diel dhe ka hyrë e hëna. Tetë persona të cilët kishin festuar në një lokal në Sukth të Durrësit, po ktheheshin për në banesat e tyre në Kamzë.
Drejtuesi i automjetit, Din Çuni, mësohet të ketë konsumuar një sasi të konsiderueshme alkoolike çka ka bërë që më pas të mos ketë instinktet e duhura për të vepruar dhe përgjatë rrugës nuk ka mbajtur dot në kontroll fuoristradën, ndërsa shpejtësia ishte mbi 100 km/h. Kështu automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën e autostradës. Më pas nga goditja e fuqishme, fuoristrada ka fluturuar disa metra lart dhe pasi është rrotulluar në ajër ka rënë në një kanal 20 metra larg vendit të përplasjes.
Sipas pasojë kanë humbur jetën Kadri Brahaj, 70 vjeç, dhe Valbona Metaj 40 vjeçe. Të plagosur mbetën Mydajet Ringaj, 52 vjeç, Feride Ringaj, 38 vjeçe, Sajmir Meta, 15 vjeç, Din Çuni 54 vjeç, të katërt nga Kamza. U plagosën gjithashtu dhe Hajrie Dezhani, 53 vjeçe, dhe Ermal Brahaj, 20 vjeç, nga fshati Bicaj i Kukësit.
"Na rezulton se në të dy rastet tragjike të dy aksidenteve të së dielës dhe së hënës fajtorë janë drejtuesit e mjeteve: në të parin 27-vjeçarja ka kaluar në korsi të kundërt, duke shkaktuar 5 të vdekur dhe 3 të plagosur. Në rastin e dytë drejtuesi i automjetit ka konsumuar alkool tej çdo norme, - deklaroi drejtori i Policisë së Durrësit në një konferencë shtypi dje. Sipas tij, në 6-mujorin e parë të këtij viti në qarkun e Durrësit janë regjistruar 90 aksidente me pasojë 15 të vdekur, 18 të plagosur rëndë dhe 56 persona të plagosur lehtë.
Vetëm për muajin korrik janë vënë rreth 4300 gjoba, janë hequr 70 leje drejtimi makinash, janë bllokuar 115 mjete, drejtuesit e të cilëve janë kapur në flagrancë duke shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Si 6-mujor policia e qarkullimit rrugor në Durrës ka bllokuar 375 mjete, si dhe ka vendosur 26 500 masa administrative. Më i rëndi konsiderohet aksidenti i së dielës ku ndërruan jetë 5 vetë, ndërsa 3 mbetën të plagosur