E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statuti i PS, zbardhet paketa Blushi

 

Fabiola Çela

Kryetari i PS duhet të jetë në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e përgjithshme, ndërkohë që nëse kjo forcë nuk fiton zgjedhjet kryetari i saj nuk duhet të rikandidojë për një mandat tjetër. Këto janë dy pikat ku mbështetet paketa Blushi për ndryshime në statutin e PS dhe që do paraqitet për miratim në kongresin e jashtëzakonshëm të 29 gushtit. Grupi i mbështetësve të Ben Blushit ka bërë gati projektin, ku synohet që vendimmarrja të mos jetë më e përqendruar vetëm në duart e kryetarit, por në forumet dhe anëtarësinë e PS.
Platforma
“Me ndryshimet që paraqiten në këtë paketë, ne konkretisht synojmë: Të përcaktohet në statut detyrimi i kryetarit të PSSH për të kandiduar në listën e deputetëve të PSSH në rastin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare; të sqarohet përfundimisht në statut çështja e rikandidimit të kryetarit të PSSH në rast humbje të zgjedhjeve të përgjithshme”, thuhet në dy prej pikave të platformës së paraqitur nga grupi i Blushit. Gjithashtu, anëtarët e kryesisë së PS-së që kanë hartuar platformën kanë sanksionuar heqjen e të drejtës së kryesisë së kësaj partie për të shkarkuar drejtuesit e strukturave vendore. Sipas hartuesve duhen zbatuar parimet e demokracisë së brendshme, përmes instrumentit të mocionit nga organi që e ka zgjedhur atë. Grupi i pozicionuar kundër kandidimit të Ramës propozon në të njëjtën kohë forcim të rolit të kongresit të PS-së. “Të forcohet roli i Kongresit të PSSH, duke e bërë përbërjen e tij më përfaqësuese e të balancuar dhe duke i dhënë atij fjalën e fundit në miratimin e Programit Elektoral dhe kandidatëve të PSSh në zgjedhjet lokale apo të përgjithshme; të pasurohet përbërja e Asamblesë Kombëtare duke gjetur një ekuilibër mes prurjeve të reja në parti dhe njerëzve të mandatuar në kuvend dhe në bashki e komuna për të përfaqësuar më mirë territoret, komunat, bashkitë, të zgjedhurit lokalë dhe qendrorë”, thuhet më tej në platformën e këtij grupimi.
Argumentet
Në krye të dokumentit vihet theksi në faktin se PS i ka humbur zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Sipas hartuesve të platformës socialistët e thjeshtë gjatë kësaj periudhe kanë vënë re se partia e tyre nuk ka pasur frymë kolegjiale dhe ajo është kthyer në një parti të kryetarëve dhe jo të anëtarëve e të forumeve. Në të njëjtën kohë grupi i Blushit dhe Islamit thekson në dokument se baza e PS-së nuk ka pasur në duar një program për zgjedhje, teksa nuk është pyetur për kandidaturat dhe emrat e 140 kandidatëve i ka mësuar në minutat e fundit. Por ata kritikojnë edhe deklaratat e Ramës se 18 vitet e fundit kanë lënë të pazhvilluar vendin, duke mohuar sipas këtij grupimi, kontributin e socialistëve. “Shumë prej drejtuesve të tyre të dashur që kanë qenë pranë në ditë të vështira e beteja të përbashkëta gjatë 18 vjetëve nuk janë më, janë hequr mënjanë, janë eliminuar dhe kur ata kanë pyetur nuk kanë marrë asnjë përgjigje, ato ndjejnë se partia e tyre po shkon në drejtim e duhur, të trajtimit të problemeve e të shqetësimeve të tyre, ajo po humb identitetin socialist, ajo ngadalë po bëhet gjithnjë e me pak e majtë, ajo po përçahet çdo ditë e po bëhet copa-copa të vogla”, thuhet më tej në dokument. Në fund, u bëhet thirrje delegatëve të kongresit të votojnë ndryshimet e propozuara në statut, me bindjen se ato do të ndikojnë në përmirësimin e mënyrës së drejtimit dhe të funksionimit të PS-së.

Paketa “blushi”

Me ndryshimet që paraqiten në këtë paketë, ne konkretisht synojmë:

1.     Të forcohet roli i Kongresit të PSSH, duke e bërë përbërjen e tij më përfaqësuese e të balancuar dhe duke i dhënë atij fjalën e fundit në miratimin e Programit Elektoral dhe kandidatëve të PSSH në zgjedhjet lokale apo të përgjithshme;

2.     Të pasurohet përbërja e Asamblesë Kombëtare duke gjetur një ekuilibër mes prurjeve të reja në parti dhe njerëzve të mandatuar në Kuvend dhe në bashki e komuna për të përfaqësuar më mirë territoret, komunat, bashkitë, të zgjedhurit lokalë dhe qendrorë,

3.     Të zgjerohen Asambletë e bashkive/komunave duke i dhënë të drejtë anëtarësisë të zgjedhë sipas parimit një anëtar një votë një të tretën e anëtarëve të tyre;

4.     Të krijohen kryesitë e Asambleve të komunave/bashkive, mungesa e të cilave ka dobësuar kolegjialitetin dhe rolin drejtues në nivelin lokal;

5.     Të forcohen funksionet e Këshillit Socialist të Rrethit dhe autonomia e tij duke i dhënë atyre kompetencën e zgjedhjes me votë të lirë Sekretarin e Këshillit Socialist të Rrethit duke shmangur ndërhyrjen e Kryesisë së PSSH;

6.     Të zgjerohet dhe forcohet roli i Konferencave Socialiste të Qarqeve të cilat duhet të shprehen për kandidatët për deputetë, për drejtuesit e njësive vendore, për anëtarët e ASK si dhe të zgjedhin me votim të lirë Sekretarin Rajonal.

7.     Ti jepet e drejtë anëtarësisë së komunës të përcaktojë sipas parimit një anëtar një votë kandidatin për kryetar të njësisë vendore.

8.     Të ndalohen me statut rastet e shkarkimit të drejtuesve të strukturave vendore të partisë me vendim të Kryesisë së PSSH, por të zbatohen parimet e demokracisë së brendshme përmes instrumentit të mocionit nga organi që e ka zgjedhur atë;

9.     Të përcaktohet në statut detyrimi i kryetarit të PSSH për të kandiduar në listën e deputetëve të PSSH në rastin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare;

10.     Të sqarohet përfundimisht në statut çështja e rikandidimit të kryetarit të PSSH, në rast humbje të zgjedhjeve të përgjithshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›