RENEA arreston të kërkuarin për vrasje
Etleva Delia & Majlinda Rama
Një i shumëkërkuar nga Interpoli, i dënuar me 25 vjet burg për dy vrasje, është arrestuar mëngjesin e djeshëm nga forcat speciale RENEA, në shtëpinë e tij në Fier. Selami Hasani, 43 vjeç, rezultonte i dënuar nga Gjykata e Fierit në vitin 2004, për dy vrasje të kryera në këtë qytet. Dënimi për Hasanin u dha në mungesë, pasi askush nuk u paraqit në atë kohë në gjykatë. Provat për vrasjen e vitit 2002 dëshmonin për fajësinë e Selami Hasanit dhe implikimin e tij të drejtpërdrejtë në ngjarje dhe që nga ajo ditë ai do të kërkohej nga policia e më pas hyri në listën e shqiptarëve më të kërkuar nga Interpoli. Vrasjet për të cilat Hasani u gjet fajtor dhe u dënua kanë ndodhur më 25 mars të vitit 2002. Në këtë kohë Hasani, sipas policisë, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, dyshohet se kanë realizuar vrasjen e Julian Isufit dhe Esat Tares, si dhe ka plagosur Bledar Kastratin e Taip Sulajn. Ngjarjen e 7 viteve më parë Hasani e ka kryer bashkë me Pëllumb Yzeirin dhe Kujtim Hasanbashën. Pas përfundimit me sukses të operacionit të koduar “Parukieri”, rezultatet e tij i ka deklaruar në një konferencë për shtyp Drejtori i Policisë së Fierit, Shemsi Premçi. Kanë qenë forca të shumta të RENEA-s, si dhe shumë efektivë të policisë së Fierit, të cilët kanë bërë të munduar arrestimin e 43-vjeçarit, që sipas burimeve nga policia ishte pikasur dhe vëzhgohej prej disa muajsh. Një informacion i dhënë në rrugë operative për skuadrën speciale, ka drejtuar RENEAN drejt Fierit, ku është njoftuar edhe policia vendore. Edhe pse operacioni ka nisur në orët e vona të së martës, specialët kanë pritur për të kryer arrestimin, duke rrethuar në distancë lagjen “1 Maji”, ku banonte i kërkuari dhe kanë pritur deri në mëngjes, që gjithçka të përfundonte me sukses. Ka qenë ora 06:00 e mëngjesit të djeshëm, kur oficerët e RENEA-s i janë afruar derës së shtëpisë ku strehohej Selami Hasani dhe me një ndërhyrje të menjëhershme, brenda pak sekondash, kanë shkallmuar derën dhe janë futur brenda për të arrestuar të kërkuarin. Fillimisht Selami Hasani ka ndjerë rrezikun dhe ka tentuar të largohet nga shtëpia, nëpërmjet një dere tjetër në pjesën e mbrapme të banesës. Por teksa ka parë që ishte i rrethuar ka vendosur që t’i dorëzohet forcave të policisë dhe menjëherë është prangosur. Sipas deklaratës zyrtare për shtyp të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, mësohet se gjatë kontrollit të ushtruar në banesën, ku Hasani jetonte bashkë me familjen, janë gjetur dhe sekuestruar dy pistoleta, njëra e tipit “TT” me 13 fishekë dhe tjetra “Zastava” (Magnum) me mulli, me 14 fishkë. Drejtuesi i uniformave blu të Fierit, Shemsi Premçi, e ka cilësuar këtë arrestim si një operacion nga më të suksesshmit në vend për një person super të kërkuar prej 7 vitesh. Selami Hasani konsiderohet si një ndër personat më të rrezikshëm në Fier. Ndërkaq ende nuk dihet arsyeja e vërtetë e vrasjes së Julian Isufit, nipit të Arben Isufit ose i njohur ndryshe si Ben Qimja. Por ajo që dihet është se në këtë përplasje mes Isufajve dhe Hasanit ka mbetur i vrarë edhe kambisti Esat Tare.
Selami Hasani, shtatë vitet në arrati pas vrasjes së dyfishtë
FIER - Selami Hasani konsiderohej si një ndër personat e më të rrezikshëm në Fier, si për aktivitetin e tij kriminal, ashtu edhe për lidhjet që ka pasur me “të fortin” tjetër fierak, Arben Isufaj, i njohur ndryshe si Ben Qimja, e më pas për konfliktet me të, pas prishjes së pazareve. Sipas policisë, 43-vjeçari, tashmë i arrestuar, ishte dënuar më 3 nëntor të vitit 2004 me 25 vjet burg nga Gjykata e Fierit. Në bashkëpunim me Pëllumb Yzeirin dhe Kujtim Hasanbashën, sipas vendimit të gjykatës, ai ka vrarë më 25 mars 2002 shtetasit Julian Isufi dhe Esat Tare dhe plagosur Bledar Kastrati dhe Taip Sulaj. Selami Hasani u dënua me 25 vjet burg për vrasjen e nipit të Ben Qimes, Julian Isufi dhe të kambistit, ky i fundit mbeti i vrarë rastësisht gjatë një shkëmbimi armësh në Fier mes bandës së Hasanit dhe Isufajve. Lufta mes dy bandave ka shkaktuar për një kohë të gjatë shumë vrasje, deri në arrestimin e dy vjet e gjysmë më parë nga ana e policisë të Ben Qimes, duke mbyllur kështu një kasaphanë në Fier. Emri i Hasanit ka qenë skeduar prej kohësh në listën e gjatë prej mbi 800 emrash të shqiptarëve më të kërkuar në botë nga Interpoli. Por dyshimet e policisë shkojnë edhe më tej për shumë të kërkuarin që tashmë është arrestuar. Burime nga policia thonë se Hasani, përveç dy vrasjeve të dokumentuara plotësisht nga policia e prokuroria, për të cilat edhe është dënuar nga gjykata, dyshohet edhe për disa vrasje të tjera për llogari të bandës së “Çamëve”, veprimtaria e të cilës shtrihej në Fier dhe në Vlorë. Ekzistojnë dyshime të shumta nga ana e policisë se personat e vrarë nga dora e Selami Hasanit në vitin 2002, nuk janë të vetmit që kanë përfunduar në një mënyrë të tillë. Policia pretendon se ai mund të jetë i implikuar edhe në ngjarje të tjera, të cilat janë në proces rihetimi dhe mbledhje provash e faktesh të reja. Nëse gjithçka do të provohet, atëherë dënimi i dhënë në mungesë për Selami Hasanin ka shumë gjasa që mund të ndryshojë.