E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statuti i UT rikthehet në Ministrinë e Arsimit

Dokumenti më i rëndësishëm i menaxhimit të Universitetit të Tiranës, statuti i tij është rikthyer për të dytën herë në Ministrinë e Arsimit, pas përpunimeve të fundit që i janë bërë atij. Në mbledhjen e fundit të senatit të universitetit më të madh publik në vend, çështja e statutit dhe mosmiratimi i tij nga ana e Ministrisë së Arsimit është diskutuar gjatë. Ata kanë përmbushur disa nga ndryshimet e kërkuara nga ana e Ministrisë së Arsimit, por nuk kanë rënë dakord për gjithçka me politikëbërësit e këtij dikasteri.

Një nga pikat më të debatueshme mësohet se ka qenë rishikimi për ngarkesën mësimore. Rektori i UT-së, Dhori Kule, në një dalje publike gjatë ditës së djeshme, është shprehur se shumë procese mësimore, si udhëheqja e diplomës, kërkimet shkencore, doktoraturat, të cilat janë plus për stafin pedagogjik krahas orëve mësimore, nuk kanë pagesa shtesë për profesorët. Sipas rektorit Kule, kjo i detyron profesorët të mos jenë të motivuar dhe të shkojnë drejt auditorëve të universiteteve private.

"Një pjesë jashtëzakonisht e madhe e aktiviteteve që nuk futen në procesin mësimor, po si elemente ndihmëse, demotivojnë realizimin e punëve të rëndësishme të universiteteve, qoftë në fushën e edukimit, qoftë në fushën e doktoraturave, në shqyrtimin e tezave. Gjithashtu morëm në shqyrtim analizën e re që bënë këshillat e universiteteve tona, për t‘i kërkuar ministrit të Arsimit rishikimin e këtij propozimi. Ka një tërësi aktivitetesh, të cilat nuk parashikohen si ngarkesë mësimore", theksoi dje rektori i UT-së, Dhori Kule.

Universiteti i Tiranës ka krijuar edhe të parin këshill etike, i cili duhej të funksiononte që me hyrjen në fuqi të ligjit për arsimin e lartë. Urgjenca për të shqyrtuar një sërë çështjesh, për të cilat në këtë universitet ka pasur ankesa për shkelje të etikës, ka detyruar senatin e UT-së që në mbledhjen e fundit të vendosë krijimin e këtij këshilli.

Rektori Dhori Kule shpjegon se nuk mund të funksiononte ky organ, pa u miratuar më parë statuti i universitetit. Por, meqë ka afro një vit që ky statut bën ecejake mes senatit dhe Ministrisë së Arsimit, pa marrë nga ky i fundit miratimin përfundimtar, çështja nuk mund të priste më.

Kështu, edhe pse është diskutuar gjatë për qëndrimin që Universiteti i Tiranës do të mbante pas skandalit të publikuar për ish-ministrin e Kulturës Ylli Pango, rektori Kule deklaron se ky këshill nuk do të merret fare me rastin, pasi prej afro një viti ai nuk ishte pjesë e stafit pedagogjik.

Gjithashtu, senati i Universitetit të Tiranës ka marrë edhe një tjetër vendim që lidhet me akordimin e një çmimi një personaliteti të nderuar. Me rastin e ardhjes për një vizitë në Shqipëri, më 20 prill, bëhet e ditur se UT do të nderojë me titullin "Honoris Causa" ish-presidentin e Çekisë, Vajslav Havel, ndërkohë që senati ka vendosur njëkohësisht që ta shpallë atë mik të universitetit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›