E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statuti, “rrëzohet” oponenca kolektive



Aristir Lumezi

Grupi i punës për ndryshimet statutore rrëzoi dje "oponencën kolektive". E rifutur sërish për miratim nga anëtari i Asamblesë Kombëtare, Maqo Lakrori, "oponenca" është parë si jo e përshtatshme për situatën politike të cilën kalon vendi dhe opozita. Anëtarët e grupit të punës, gjatë një mbledhje prej më shumë se katër orësh, kanë argumentuar qëndrimin e tyre ndaj këtij propozimi të lidhur ngushtë dhe me një frymë bashkimi dhe jo ndarje, siç e kanë cilësuar ata, brenda PS në fraksione të cilat sipas tyre do të nxisnin një përplasje të brendshme mes socialistëve, ndërkohë që fokusi i luftës politike duhet të përqendrohet te kundërshtari politik. Gjithashtu është thënë se një propozim i tillë, edhe para dy vjetësh është paraqitur dhe për të ka një vendim nga kongresi i PS, duke e rrëzuar. Në këtë mënyrë, pritet që Lakrori t'ia propozojë platformën e tij Asamblesë Kombëtare dhe kongresit të PS, që pritet të mblidhet në fund të prillit duke këmbëngulur se "oponenca kolektive" e institucionalizuar do të shmangë përçarjen e partisë, por mbi të gjitha do të vendosë një mekanizëm kontrolli për lidershipin e saj. Në themel të propozimit të Lakrorit është drejtimi kolegjial i partisë dhe rritja e prezencës dhe fuqisë së anëtarit të partisë dhe anëtarëve të forumeve. Sipas propozimit, "oponenca" do të rrisë demokracinë e brendshme në parti dhe aftësinë vetëkorrigjuese të saj, ndërsa vendimi për krijimin dhe përmasat e oponencës kolektive është monopol i anëtarëve të partisë dhe jo i forumeve të saj drejtuese.
Propozimet
Grupi i punës për statutin, i caktuar muaj më parë nga vetë Asambleja e PS, ka mbledhur propozimet e bëra përmes pyetësorit dhe do t'ia paraqesë asamblesë për miratim. Statuti i ri i PS-së do të ketë dhe një dokument të ri të tij, "Librin e rregullave", i cili do të jetë mekanizmi që do të përcaktojë se si do të zbatohen çështjet parimore të përcaktuara në statut. Grupi i punës ka miratuar propozimin që është pranuar në masë të gjerë nga baza socialiste për vendosjen e kryetarit socialist të rrethit, një strukturë kjo e hequr në statutin e miratuar në vitin 2007 e që më pas u pa e domosdoshme për t'u rivendosur. Kryetari i PS në rreth është parë si një pikë e fortë organizative, që PS i ka munguar veçanërisht në zgjedhjet e 2009, ndërsa pesha më e madhe i ishte lënë sekretarëve dhe koordinatorëve të qarqeve. Ndërkohë, ndryshojnë raportet, dhe kryetari i PS-së së rrethit merr më shumë kompetenca me statutin e ri që po përgatitet. Gjithashtu në rreth do të ngrihet dhe asambleja e rrethit, e përbërë nga kryetarë të komunave dhe bashkive, delegatë të kongresit, ndërsa do të jetë ajo që do të zgjedhë kryetarin e PS-së së rrethit me votim të fshehtë, ku do të marrin pjesë dhe kryetarët e organizatave socialiste. Një tjetër propozim që vjen nga anëtarësia socialiste përmes pyetësorit, është edhe pakësimi i numrit të sekretarëve në selinë qendrore, duke i dhënë një ngarkesë politike më të madhe çdo anëtari të kryesisë. Gjithashtu pritet që të ndryshojë dhe mandati i kryetarëve dhe sekretarëve të PS në nivel lokal, ku propozohet që mandati i tyre të jetë dy vjeçar dhe jo katër vjeçar, siç është sot, dhe ata të mos zgjidhen njëlloj përmes të njëjtit votim me "një anëtar një votë" me kryetarin e PSSH-së. Propozimet e miratuara nga grupi i punës do të formulohen në një dokument, i cili do t'i paraqitet Asamblesë kombëtare në mbledhjen e ardhshme e më pas votimi përfundimtar do t'i takojë kongresit të PS, që do të mblidhet në muajin prill.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›