E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: S’jemi në garë për vizat



Erald Kapri

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi se, Shqipëria nuk ndodhet në garë me vendet e tjera për liberalizimin e vizave, por në të njëjtën kohë, qëllimi mbetet liberalizimi sa më shpejt. vDeklarata e numrit dy të qeverisë u bë dje në konferencën e përbashkët për shtyp me Ministrin e Jashtëm hungarez Peter Balazs, i cili vizitoi Tiranën zyrtare, nga ku u nënshkruan edhe marrëveshje bashkëpunimi. I pyetur nga mediat në lidhje me mundësinë e një përpjekjeje të autoriteteve shqiptare për të ndarë Bosnjën nga Shqipëria në procesin e liberalizimit të vizave, Meta tha se nuk jemi në garë, por thjesht presim finalizimin e procesit. "Ne nuk jemi në garë me askënd. Objekti ynë ka qenë i qartë dhe mendoj se është i përmbushur dhe që ka të bëjë me plotësimin e të gjithë kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave", - deklaroi Meta. Kreu i diplomacisë shqiptare tha më tej se, vendi ynë e konsideron hap pozitiv liberalizimin e vizave me Serbinë, Malin e Zi e Maqedoninë dhe dëshiron që kjo të ndodhë edhe për Kosovën e Bosnjën, madje sa më shpejt të jetë e mundur. "Në këtë drejtim, qëllimi ynë është që të liberalizohen vizat sa më shpejt për Shqipërinë dhe njëkohësisht presim çdo vendim pozitiv, padyshim edhe për Bosnjë Hercegovinën", - shtoi Meta.
Vizita
Në vizitën e djeshme zyrtare të ministrit hungarez, Peter Balazs, u nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi. Protokolli i Bashkëpunimit ndërmjet dy MPJ-ve, si dhe Marrëveshja e Bashkëpunimit Ekonomik mes Shqipërisë e Hungarisë. Në bisedimet mes dy homologëve u bisedua kryesisht për rritjen e marrëdhënieve mes dy vendeve, njëkohësisht Hungaria dha mbështetjen e saj të plotë për procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimit të plotë të Shqipërisë në BE. Në gjysmën e parë të vitit 2011, Hungaria merr presidencën e radhës së BE-së. "Ne gjithashtu po ndjekim me të njëjtat ndjenja simpatie dhe mbështetjeje edhe përpjekjet e Shqipërisë për integrimin evropian. Natyrisht, ka gjëra të rëndësishme për t'u bërë, me qëllim që të arrijmë në drejtim të integrimit në tregun e vetëm evropian, në zonën shengen, në eurozonë, por ne jemi të gatshëm që të ndihmojmë në realizimin me sukses të të gjithë këtyre hapave", - tha në konferencë ministri hungarez, i cili shtoi se "ne duhet të marrim edhe pëlqimin, konsensusin e 27 vende anëtare të BE-së. Më lejoni në këtë drejtim të përmend faktin që, pas presidencës spanjolle, presidencën e BE-së e merr Belgjika, në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm. Kjo do të pasohet nga Hungaria. Në rast se ky proces nuk do të ketë arritur deri në atë kohë, natyrisht që ne, kur të kemi presidencën tonë, do të bëjmë gjithçka të jetë e mundur që kjo të realizohet". Ministri shqiptar, Meta, shtoi më pas: "Unë besoj që me presidencën hungareze do të bisedojmë çështje të tjera, pasi kjo në fjalë do të mbyllet brenda këtij viti". Në fjalën e tij, Meta theksoi edhe rëndësinë historike të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›