E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduket prej 3 ditësh ish-drejtori i “Darfo”



Etleva Delia

Eduart Belegu, ish-këshilltar i ministrit të Energjitikës, Dritan Prifti, prej 3 ditësh rezulton i zhdukur, të paktën sipas familjarëve të tij.
Ata kanë denoncuar ngjarjen në Policinë e Tiranës, e cila ka nisur menjëherë hetimet. Administratori i kompanisë koncesionare, “Darfo”, në Elbasan, i cili u arrestua për “vjedhje me atë të shfrytëzimit të detyrës”, në nëntor të vitit të kaluar, është larguar nga shtëpia e tij në zonën e ish-Bllokut dhe nuk është kthyer më. Burime nga policia e kryeqytetit thanë se Eduart Belegu ka humbur kontaktet me familjen prej pasdites të së mërkurës, ndërsa telefoni i tij rezulton vazhdimisht i fikur. Fakti që alarmoi më tepër policinë është se makina e të zhdukurit, një mjet tip “Range Rover”, u gjet në parkingun e një blloku pallatesh në Laprakë të Tiranës, por brenda saj nuk u gjet asnjë shenjë që mund të çonte në vendndodhjen e tij. Dy ditë para se të zhdukej, Eduart Belegu ishte paraqitur pranë Policisë Gjyqësore, ashtu siç kishte dhënë vendimin Gjykata e Lartë, më datë 10 shkurt të këtij viti, kur ndryshoi për të masën e sigurisë, nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje”. Ngjarja është denoncuar nga bashkëshortja e Eduart Begos, fillimisht në Komisariatin Nr.1, por menjëherë hetimin e kanë marrë përsipër oficerët e seksionit të Krimeve Kundër Personit. Policia tha se po verifikojnë telefonatat e fundit që ka kryer Belegu, por pista më e mundshme e hetimit është largimi i tij me dëshirë, duke u nisur edhe nga një deklaratë e të vëllait të tij, por që grupi hetimor preferon të jetë i rezervuar në lidhje me dëshminë e dhënë prej tij në polici.
DENONCIMI
Në denoncimin që bashkëshortja e Eduart Belegut ka bërë në komisariatin e policisë, ajo ka shpjeguar se para largimit nga shtëpia pasditen e të mërkurës, i shoqi i ka thënë se do të shkonte të takonte një mikun e tij, që kishte një lokal. Më tej, nga momenti kur ka dalë nga apartamenti, që ndodhet te zona e ish-Bllokut, kanë kaluar disa orë dhe Eduart Belegu nuk ka kontaktuar me bashkëshorten dhe as me familjarë të tjerë. Disa dëshmitarë kanë thënë se Eduart Belegu, babai i dy fëmijëve, që prej kohës kur Gjykata e Lartë vendosi që ai të linte qelinë e burgut, ishte mbyllur në vetvete. Kështu mësohet të kenë pretenduar të paktën familjarët e tij, në momentin kur kanë bërë kallëzimin, që më pas është shpallur “person i zhdukur”. Bashkëshortja e tij ka shpjeguar në polici se pasi ka pritur për disa orë që i shoqi të kthehej në shtëpi, duke tentuar të lidhej me të në telefon, edhe pse vazhdimisht dilte i fikur, ka vendosur t’i drejtohet policisë. Ajo u paraqit në Komisariatin nr.1 mesditën e së enjtes, ku dha edhe shpjegimet e saj, duke pretenduar se nuk ka asnjë ide se çfarë mund ta ketë shtyrë Belegun të largohej në atë mënyrë dhe ndonjë problem të mundshëm që ai mund të kishte. Gjatë verifikimeve të para policia ka kontrolluar zonën, ku i zhdukuri kishte thënë së do shkonte në komunikimin e fundit me bashkëshorten. Në parkingun e një blloku pallatesh në Laprakë, policia ka gjetur makinën e tij, një fuoristradë tip “Range Rover”, e cila është kontrolluar me imtësi, por brenda saj nuk është gjetur asnjë element, që mund ta çonte policinë në gjurmët e babait të dy fëmijëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›