Stavridis: Trupat e NATO-s në Kosovë do reduktohen
Komandanti suprem i NATO-s, James Stavridis tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se gjatë këtij viti do të ketë pakësime të trupave të NATO-s në Kosovë. Admirali Stavridis e ka vizituar disa herë Kosovën në postin e zyrtarit më të lartë të Aleancës. Në Kosovë, tha admirali Stavridis, kemi të bëjmë me një histori suksesi. "Shpesh, kur jam i shqetësuar për Afganistanin, përpiqem të kujtoj se në vitet 1990 kur hidhnim vështrimin në Ballkan, dëgjonim shumë pesimizëm dhe dëshpërim, nëse ai do të mund të shndërrohej në një shoqëri paqësore dhe bashkëpunimi. Mendoj se në shumë aspekte, Ballkani është një histori suksesi nga mund të mësosh. Pra, unë kam mendim pozitiv për atë që po ndodh në Kosovë", tha ai. Në Kosovë, tha admirali Stavridis, ne kemi patur 15 mijë trupa të NATO-s. 'Vitin e kaluar, mora autorizimin nga Këshilli i Atlantikut Verior për ta ulur numrin në 12 mijë dhe ne kështu po veprojmë. Shumë shpejt, do të shkojmë drejt shifrës 10 mijë dhe këtë vit po shikojmë mundësinë për shkurtime të tjera"- vijon më tej stavridis. Gjatë 6 muajve që kam qenë komandant i NATO-s e kam vizituar Kosovën 3 herë dhe përgjithësisht mendoj se kjo është një histori mjaft pozitive, deklaroi gjatë intervistës për Zërin e Amerikës Komandanti Suprem i NATO-s.