E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pheniani i kërcënohet Seulit

Koreja e Veriut është kërcënuar sot se do të ndal dialogun me Korenë e Jugut, hap ky i cili mund të nxitë sërish tendosjet në Gadishull dhe të dëmtojë përpjekjet e fuqive rajonale, për të kthyer Phenianin në negociatat për çarmatim bërthamor.

Koreja e Veriut, e cila së fundi ka dërguar porosi të përziera, theksoi se kërcënimi për ndërprerje të dialogut është një reagim ndaj raporteve të medieve jug-koreane, të cilat kanë njoftuar se Seuli është duke rivlerësuar planet emergjente në lidhje me atë se si do të veprojë, nëse përmbyset kryesia në Phenian.

“Autoritetet e Koresë së Jugut duhet ta kanë parasysh se ato do të përjashtohen nga negociatat paqësore dhe të sigurisë, nëse nuk kërkojnë falje”, theksoi agjencia shtetërore veri-koreane e lajmeve, KCNA.

Koreja e Veriut ka dërguar sinjale të përziera gjatë javëve të kaluara, duke propozuar marrëveshjen paqësore për të zëvendësuar marrëveshjen për armëpushim, me të cilën ju dha fund Luftës së Koresë, e cila zgjati nga viti 1950 deri në vitin 1953, por në anën tjetër u kërcënua edhe me masa ushtarake, nëse nuk shqyrtohet oferta e vet.

Analistët theksojnë se kërcënimet e Phenianit janë përpjekje për të forcuar pozitën e këtij shteti të izoluar komunist, nëse vendos të kthehet në negociatat gjashtë-paleshe për çarmatim bërthamor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›