Mali i Zi-Kosova vendosin marrëdhëniet diplomatike
Qeveria e Malit të Zi njoftoi se ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën. "Mali i Zi dhe Kosova sot vendosën marrëdhënie diplomatike duke shkëmbyer letrat e ministrave respektivë, Millan Roçen dhe Skënder Hyseni", transmeton agjensia e lajmeve AFP. Megjithatë, dërgimi i ambasadorëve do të vonohet deri në arritjen e një marrëveshjeje mbi statusin e pakicës malazeze në Kosovë, citohet të ketë thënë Roçen në fjalën e tij. Podgorica dëshiron që disa mijëra malazezë që jetojnë në Kosovë të kenë status formal të minoritetit, me të drejtë të përfaqësimit në Parlament dhe garanci për të drejta arsimore dhe kulturore. Në vitin 2008, njohja e Kosovës nga Podgorica bëri që Beogradi ta dëbojë ambasadorin malazez, por nëntorin e kaluar, ambasadori i Malit të Zi u kthye në Beograd.
"Vendosja e marrëdhënieve diplomatike do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit rajonal dhe në arritjen sa më shpejtë të synimeve të përbashkëta europiane", ka deklaruar Rocen.
Gjithashtu, po sipas këtyre burimeve, shefi i diplomacisë malazeze ka vlerësuar angazhimin e qeverisë së Kosovës për plotësimin e nevojave të komunitetit malazez në shtetin e ri.