E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stavridis konfirmon mbështetjen e NATO-s për Kosovën

Presidenti Fatmir Sejdiu priti sot komandantin suprem të Forcave të Përbashkëta për Evropë, admiralin James Stavridis.

Në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Presidentit thuhet se në një bisedë të gjatë dhe miqësore, presidenti Sejdiu dhe admirali Stavridis diskutuan për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe bashkëpunimin e institucioneve të vendit me NATO-n.

Admirali Stavridis konfirmoi mbështetjen e fuqishme të NATO-s për Kosovën, mbështetjen për sigurinë në vend, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ndërsa, presidenti Fatmir Sejdiu e falënderoi admiralin për përkrahjen që NATO-ja i ka dhënë dhe po i jep Kosovës.

Ai gjithashtu theksoi ndjenjën dhe respektin e veçantë që kanë qytetarët e Republikës së Kosovës për KFOR-in.

Admirali Stavridis që nga dje po qëndron për vizitë në Kosovë. Ai i ka vizituar trupat e KFOR-it, si dhe është takuar edhe me kryeministrin e vendit.

Gjatë një konference për gazetarë në Aeroportin e Sllatinës, në përfundim të vizitës në Kosovë, Stavridis është shprehur i kënaqur me progresin e arritur në Kosovë, si dhe arritjet e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ai ka thënë se çështja e ngrirjes së raporteve FSK-KFOR tashmë janë tejkaluar, duke mos dashur të komentojë më shumë këtë çështje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›