E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stazhi, studentët e Vlorës në protestë, bojkotojnë auditorin

VLORE - "Premtimet në fushatën zgjedhore për drejtuesit e rinj të universitetit janë shkelur. 

Ne nuk mund ta tolerojmë këtë gjë", kështu janë shprehur dje studentët e universitetit teknologjik "Ismail Qemali". Në shenjë proteste ata bojkotuan për një orë mësimin, duke kërcënuar se do ta përshkallëzojnë më tej nëse nuk u plotësohen kërkesat. Të grumbulluar përpara godinës qendrore të universitetit studentët parashtruan publikisht kërkesat e tyre. Për ta kjo ka qenë e vetmja formë për të vënë në dijeni rektorin e këtij universiteti, Tanush Shaska. Studentët deklaruan se, në fillim të këtij viti akademik gjatë fushatës për zgjedhjen e rektorit të ri u premtua se do të hiqej stazhi. Ky premtim jo vetëm që nuk u mbajt, por për të kaluar vitin u vendos një kufi prej 25 kreditesh, që duhen marrë në sezonin e vjeshtës me qëllim që studenti të mos rrezikojë vitin. Një tjetër kërkesë e studentëve të Vlorës ishte edhe njohja e këshillit studentor nga ana e rektoratit dhe përfshirja e tij në mbledhje të ndryshme, që anë të bëjnë me problematikat apo procesin e mësimit në universitet. Përveç dy kërkesave të parashtruara rektoratit të universitetit "Ismail Qemali", studentët vlonjatë i kanë kërkuar Ministrisë së Arsimit të miratojë për fakultetin e Edukimit në Universitetin e Vlorës sistemin 3+1, pasi në këtë vit të tretë që për shumë prej tyre është i fundit, nuk kanë mundësi të vijojnë shtesën me +1, që parashikohet në Kartën e Bolonjës, por penalizohen në arsim, duke u kualifikuar vetëm me tre vjet universitet, e jo me diplomë të plotë. Sipas tyre, kërkesat duhen marrë parasysh nga strukturat të cilave ju janë drejtuar, pasi në rast të kundërt ky bojkot prej një ore, do të vijojë me një tjetër bojkot ditën e hënë, ku ata pritet të lënë mësimin gjatë gjithë ditës. Studentët kanë kërkuar t'iu plotësohen kërkesat brenda një afati njëjavor, në rast të kundërt, do të vijojnë me mënyra të ndryshme protestash demokratike për të arritur plotësimin e tre kërkesave të prezantuara ditën e sotme. Duke nisur që prej vitit të ri akademik studentët duhet të plotësojnë 60 kredite për të kaluar vitin akademik. Udhëzimi i fundit i MASH ka përcaktuar se ndryshimet vijnë në përputhje me ligjin për arsimin e lartë. Sipas udhëzimit, një krediti i korrespondojnë 25 orë mësimore në auditorë. Gjithashtu MASH ka përcaktuar edhe numrin e nevojshëm të kreditove për të marrë të gjitha tipat e diplomave.              q.b.

Kërkesat

Heqje e stazhit
Njohja e këshillit studentor nga ana e Rektoratit
Sistem 3 + 1 në Fakultetin e Ciklit Parashkollor

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›