E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, edhe 2 fëmijë infektohen nga uji

Shkon në 42 numri i personave të infektuar nga virusi i panjohur ende në Urën Vajgurore. 

BERAT/DILAVER XHELILI

Sipas burimeve, në spitalin rajonal të Beratit bëhet e ditur se ditën e djeshme janë shtruar në ambientet e tij edhe dy fëmijë, të cilët paraqisnin të njëjtat simptoma me personat e infektuar pak ditë më parë. Fëmijët kanë qenë banorë të lagjes "Guri i Bardhë", lagje nga e cila janë edhe të infektuarit e tjerë. Pas mbërritjes në spital, dy fëmijët përkatësisht të moshave 6 dhe 8 vjeç kanë paraqitur temperaturë të lartë, diarre, dhimbje të barkut, si edhe të vjella. Menjëherë ata janë vënë nën kujdesin e plotë të mjekëve. Personeli shëndetësor i qendrës ka pohuar se fëmijët janë të infektuar, por infeksioni i tyre është kapur në fillimet e tij dhe se gjendja shëndetësore paraqitet jashtë çdo rreziku. Gjithashtu, raste më vogla janë shënuar edhe në qendrën shëndetësore të Urës Vajgurore, ku pas vizitave të kryera dje janë evidentuar tre raste të tjera të dyshuara si të infektuar. Për këto tre raste mjekët kanë dhënë vetëm një kurë dhe nuk i kanë shtruar fëmijët në spital. E ndërsa numri i të infektuarve të shtruar është shtuar edhe më dy të tjerë, burime nga Drejtoria e Higjienës pohojnë se, ende nuk kanë mbërritur analizat për të zbardhur prejardhjen e këtij infeksioni që përfshihu këtë qytet me 12 mijë banorë. Burime nga spitali i Beratit kanë sqaruar se, gjendja është nën kontroll dhe të sëmurët ndodhen nën mbikëqyrjen e mjekëve specialistë, të cilët po marrin mjekimet e nevojshme. I njëjti fakt pohohet edhe për gjendjen në qytet, pas masave të marra nga drejtoria e ujësjellësit dhe të pushtetit lokal. Virusi i panjohur i shfaqur në lagjen "Guri i Bardhë" të Urës Vajgurore ka rritur ndjeshëm vigjilencën e Drejtorisë së Shëndetit Publik edhe në qytetin e Beratit. I menduar se burimi i infeksionit është uji i ndotur, gjatë ditëve të fundit grupe inspektimi vendase, si edhe të ardhura nga kryeqyteti, kanë inspektuar të gjitha pikat e grumbullimeve të ujit. Pas këtyre kontrolleve ata kanë konstatuar se jo të gjitha këto grumbullime janë klorifikuar. Ato kanë ndërprerë për disa orë furnizimin me ujë të qytetit dhe kanë bërë një klorifikim të përgjithshëm të të gjithë rrjetit të shpërndarjes së ujit të pijshëm. Gjithashtu, kampione uji të marra në segmente të ndryshme janë dërguar për t'u analizuar në laboratorin qendror në Tiranë. Në qendër të vëzhgimeve ka qenë lagjja "Guri i Bardhë", por pa lënë prapa edhe lagjet e tjera të dy qyteteve. Rëndësi i është kushtuar edhe vendburimeve ku marrin ujin e pijshëm dy qytetet. Kjo për faktin se vendburimi i ujit në Urën Vajgurore ndodhet nën nivelin e shtratit të lumit Osum, i cili ka ndotje të theksuar të ujërave të zeza. Gjatë përmbytjeve në stinën e dimrit uji i ndotur i lumit depërton në vendburim. Ndërsa në vendburimin e ujit në Bogovë, vend nga furnizohet qyteti i Beratit, ushtrojnë veprimtarinë e tyre disa firma të cilat bëjnë gërmime për nxjerrjen e gurëve dekorativë nga baseni i burimit.

Ndalohen gërmimet e dy firmave që dëmtuan burimin e ujit në Bogovë

BERAT - Ndalohet veprimtaria e firmave që merrnin gurë dekorativë në basenin ujor të Bogovës. Ndërsa dy prej firmave, që ndodhen më pranë vendburimit, e kanë ndaluar që dje veprimtarinë e tyre, mësohet se në ditët në vazhdim e njëjta gjë do të ndodhë edhe me të tjerat. Virusi i shfaqur së fundmi në rrethin e Beratit, nga i cili janë infektuar 42 persona, 32 prej të cilëve fëmijë, ka çuar në këtë basen ujor të Bogovës një grup inspektimi të Prefekturës së Beratit në bashkëpunim me Drejtorinë e Ujësjellësit Rajonal. Burime nga kjo drejtori, bënë të ditur se në afërsi të basenit të Bogovës kryejnë aktivitet një numër i madh firmash të gurit, të cilat nxjerrin pllaka guri dekorativ. Drejtori i Ujësjellësit, Fatmir Shehu, tha për gazetën se, hapja e një numri të madh të minierave të gurit në këtë zonë ka rrezikuar seriozisht këtë vendburim si nga ana e ndotjes dhe devijimin e vendburimit. Shehu ka thënë se, ne së bashku me prefekturën, po kryejmë një inspektim për të parandaluar një infeksion tjetër, i ngjashëm me atë të Urës Vajgurore. Burime nga Ujësjellësi sqarojnë se, nga shpërthimet në afërsi të vendburimit, si dhe nxjerrja e pllakave ka krijuar boshllëqe, kështu që të gjitha mbetjet e inertëve dhe ato kimike të krijuara nga shpërthimi i lëndëve plasëse, ndikojnë në ndotjen e ujit të pijshëm në parametra të larta. Këto punime që kryen nga disa firma të palicencuara po i krijojnë komunitetit një rrezik të madh për jetën, janë një premisë edhe për devijimin e vendburimit të Bogovës. Menjëherë grupi i ekspertëve ka bllokuar aktivitetin e firmave që ndodhen në afërsi të basenit të ujësjellësit të Bogovës. Specialistët e Drejtorisë së Ujësjellësit thanë për gazetën se, sa herë që bie shi kemi një ndotje të këtij vendburimi. Kjo vjen si pasojë e krijimit të hapësirave nga shpërthimet dhe nga nxjerrja e gurit, ku mbetjet e ndryshme depërtojnë nëpërmjet këtyre boshllëqeve dhe përfundojnë në burim. Sipas drejtorit të Ujësjellësit, kjo drejtori ka dhënë alarmin prej vitesh për gjendjen e krijuar, por ky alarm ka rënë në veshë të shurdhët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›