E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata paralajmëron avokatët e Lul Berishës

TIRANE - Gjykata e Krimeve të Rënda paralajmëroi dje avokatët mbrojtës së të akuzuarve si anëtarë të "Bandës së Durrësit", për marrjen e masave ndaj tyre pasi 

janë shkaktarë të zvarritjes së procesit, prej një viti. Seancën e djeshme u bë shkak për shtyrjen e saj, mungesa e disa prej avokatëve së të pandehurve, të cilët pretendonin se ndodheshin në gjykata të tjera më të larta apo mungonin për arsye shëndetësore. Të paktën prej një viti, Krimet e Rënda kanë zhvilluar vetëm një seancë gjyqësore në ngarkim të 17 të akuzuarve si anëtarë të "Bandës së Durrësit". Kjo, pasi pjesa dërmuese e seancave ka dështuar për shkak të mosparaqitjes së mbrojtësve. Dje ishte parashikuar që të dëgjoheshin dëshmitarët e parë të këtij procesi, lista e të cilëve është 194 vetë. Që prej dy vitesh në qeli ndodhen thuajse të gjithë të pandehurit, përfshi edhe dy krerët rivalë të bandës, Lulëzim Berisha dhe Indrit Dokle, si dhe gjithë "ushtarët" e tyre, pjesa më e madhe të akuzuar si vrasës me pagesë. Mbi këta të pandehur rëndojnë mjaft akuza për vrasje, dhe tentativë vrasjeje, krime të ndodhura në qytetin Durrësit dhe kryeqytet, të cilat kanë filluar që nga viti 1998 dhe që kanë vazhduar deri në momentin e arrestimit së të pandehurve. Për rreth një vit më radhë, që nga qershori i vitit të kaluar kur ishte caktuar të zhvillohej seanca e parë e procesit, gjykata ka marrë dhe ka shqyrtuar kërkesat paraprake të palëve, ndërsa dy muaj më parë organi i Prokurorisë mundi të lexonte kërkesën për gjykim dhe të paraqiste në gjykatë listën me emrat e dëshmitarëve. Si pasojë e zvarritjes së procesit për shkak të mbrojtjes, gjykata ka pezulluar afatet e paraburgimit për të pandehurit.                 fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›