E Shtunë, 31 Tetor 2026

I mundur Referendumi?

Eduard Zaloshnja 

Debatit nëse ndryshimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë u bënë në mënyrën e duhur, apo nëse ishin më të mirat të mundshme, ia ka zënë vendin tani debati nëse mund të zhvillohet një referendum për rrëzimin e disave prej tyre. Debati i parë, edhe pse shumë i vlefshëm për sqarimin e publikut rreth pozicioneve që palë e aktorë të ndryshëm të jetës publike shqiptare patën ndaj procesit të ndryshimeve dhe vetë ndryshimeve nuk mundi të ndryshonte rrjedhën e tyre për faktin e thjeshtë se Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë ta kthejë për rishqyrtim ligjin e miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës. Ndërsa debati rreth mundësisë së zhvillimit të një referendumi ka vlera praktike për aq kohë sa ekziston një dritare e shkurtër kohore për zhvillimin e tij.

Në thelb të debatit për mundësinë e një referendumi për rrëzimin e disa prej ndryshimeve të fundit kushtetuese, qëndron kundërvënia në dukje midis nenit 177 dhe 150 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Sipas nenit 177, Kuvendi me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij, mund të vendosë (pra, nëse dëshiron) që projektamendamentet kushtetuese të votohen me referendum. Ndërkohë, ky nen parashikon se amendamenti kushtetues detyrimisht i nënshtrohet referendumit, kur këtë e kërkon një e pesta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Nga ana tjetër, neni 150, në frymën e nenit 2 (i cili deklaron se populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti), i jep mundësinë popullit që të kërkojë referendum për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë. Kjo, kur peticioni për referendumin firmoset nga 50 mijë shtetas me të drejtë vote.

Nga leximi i shkujdesur i këtyre dy neneve të krijohet përshtypja se referendumi për amendamentet kushtetuese mund të zhvillohet edhe pse iniciatorët e tij nuk arritën të merrnin firmat e 1/5 të deputetëve (në përputhje me nenin 177). Duket sikur atyre u mjafton të mbledhin 50 mijë firma nga votuesit e thjeshtë (në përputhje me nenin 150), dhe referendumi mund të zhvillohet në qoftë se arrihen afatet e ngushta kohore (afatet kohore janë një histori e gjatë që do kërkonte një shkrim më vete).

Kur invokojnë nenin 150 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, logjika e përdorur nga iniciatorët dhe mbështetësit e referendumit bazohet në leximin e germës së atij neni, të shkëputur nga fryma e përgjithshme e ligjit themeltar shqiptar.  Fakti që ndryshimet kushtetuese u bënë nëpërmjet një ligji të Kuvendit, thonë disa përkrahës të referendumit, i jep të drejtën popullit të kërkojë referendum përderisa neni 150 shprehet qartazi se sovrani mund të kërkojë referendum për shfuqizimin e një ligji. Por ata harrojnë se ligji në fjalë nuk është një ligj dosido. Për shembull, ndryshe nga gjithë ligjet e tjera, sipas nenit 177, Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë ta kthejë për rishqyrtim ligjin që amendon Kushtetutën.

Disa përkrahës të tjerë të referendumit përdorin logjikën se çështja e rishikimit të Kushtetutës është e një rëndësie të veçantë (s’ka gjë më të rëndësishme se Kushtetuta për një vend - thonë ata), e për rrjedhojë, sipas nenit 150, populli mund t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit. Por pikërisht sepse rishikimi i Kushtetutës së një vendi është një çështje e rëndësisë së veçantë, hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ndërtuan një nen të veçantë për rishikimin e saj (nenin 177). Dhe përderisa është ndërtuar një nen i veçantë, ai e ezauron çdo mundësi për rishikimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. 

Parimi i ezuarimit të mundësive për ndryshime kushtetuese nëpërmjet neneve të posaçme për to, kuptohet që nuk është shpikje shqiptare - ai është i bazuar në historinë kushtetuese botërore.  Është praktikisht e pamundur të gjendet një shembull nga kjo histori, kur në një vend që respekton shtetin ligjor, të jenë bërë amendime kushtetuese duke përdorur nene të tjerë përveç atyre që përcaktojnë procedurën e amendimeve kushtetuese. Në vende diktatoriale, po, kjo gjë ka ndodhur...

Duke ditur se shumica dërrmuese e shqiptarëve e duan integrimin në Bashkimin Evropian (pra me përkufizim, edhe shtetin ligjor),  mund të thuhet në përfundim se sovrani popull, duke votuar në vitin 1998 për Kushtetutën, për mirë a për keq, ia ka deleguar 1/5 së deputetëve të Kuvendit të drejtën për kërkimin e një referendumi kushtetues. Dhe vetëm për të tjera referendume, ai ia ka rezervuar vetes këtë të drejtë - nëpërmjet të shumëdiskutuarit nen 150.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›