E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Prokurorisë merr dosjen "14 shtatori"

TIRANE - Pretenca e "14 shtatorit" mbërrin në Këshillin e Prokurorisë për konsultë. 

 Burime nga ky proces pohuan dje se, seanca e radhës nuk u zhvillua, pasi përfaqësuesi i organit të akuzës pohoi se ende nuk kishte përgatitur konkluzionet përfundimtare. Të paktën prej disa muajsh, seancat gjyqësore të kësaj çështjeje shtyhen për shkak të mospërgatitjes së pretencës nga Prokuroria. Seancën e kaluar të procesit përfaqësuesi i organit të akuzës pretendoi në gjykatë se, nuk i kishte përgatitur konkluzionet përfundimtare, pasi dosja ndodhej në organin qendror të akuzës për konsulencë. Ndërsa dje ai pohoi se dosja ndodhej në këshillin e Prokurorisë, ku do të diskutohej akuza, ndaj të pandehurve, e cila prej 10 vitesh ka qenë "kryengritje". Nga shqyrtimi gjyqësor i çështjes, për rreth 6 vjet, janë dëgjuar dëshmitarët si dhe janë administruar e shqyrtuar nga trupi gjykues provat shkresore e ato shkencore. Pesë të pandehurit e këtij procesi akuzohen të jenë përfshirë në turmën e armatosur, që pushtoi institucionet kryesore të shtetit në shtator të vitit 1998. Të paktën për ngjarje të tjera të ngjashme të ndodhura në atë kohë, gjykata e ka klasifikuar akuzën "përfshirje në tubime të paligjshme". Në rastin e kësaj dosje, të pandehurit akuzohen se kanë qenë pjesëmarrës në kortezhin që po përcillte për në banesën e fundit trupin e deputetit demokrat Azem Hajdari, vrarë mbrëmjen e 12 shtatorit 1998. Aktualisht të akuzuarit për sulmin ndaj institucioneve shtetërore janë grupuar në tre procese, ku në të parin ndodhen ish-gazetarët, i cili ende nuk ka nisur të shqyrtohet, në të dytin qytetarë të armatosur, ndërsa në këtë që ka mbërritur në fazën e pretencës gjykohen ish-badigardët. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›