E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Stazhieri”, sekuestrohen 6 pistoleta mini-zastava

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Gjashtë pistoleta, 200 gramë kokainë dhe dy të arrestuar është blinaci i operacionit “Stazhieri”, të zhvilluar dje në afërsi të Fushë-Krujës. Armët e sekuestruara dyshohet se kishin destinacion kryeqytetin, por nuk dihet ende origjina e tyre. Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, kanë vënë në pranga Kujtim Laçin, 44 vjeç, lindur në Laç dhe banues në Fushë-Krujë dhe Afrim Stafukën, 39 vjeç. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare pranë policisë, sipas të cilave, gjashtë pistoleta, pas sekuestrimit janë dërguar menjëherë në laboratorin kriminalistik për të parë nëse janë përdorur për krime të mëparshme.
Operacioni
Operacioni i koduar “Stazhieri” ka dërguar në pranga Kujtim Laçin, 44 vjeç, lindur në Laç dhe banues në Fushë-Krujë dhe Afrim Stafukën, 39 vjeç, banues në Fushë-Krujë. Operacioni është zhvilluar mëngjesin e djeshëm në vendin e quajtur “Mbikalimi” në Fushë-Krujë. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se Laçi dhe Stafuka u kapën në flagrancë me gjashtë pistoleta tip “Mini-Zastava” të kalibrit 6.6 mm, të cilat dyshohet se do t i trafikonin për qëllime fitimi. Gjatë operacionit “Stazhieri” u sekuestruan dhe dy automjete: njëri tip “Fiat” e tjetri tip “Audi”, tri palë targa false që përdoreshin nga të dyshuarit, si dhe tre aparate celularë. Pas arrestimit të të dy të dyshuarve, mësohet se nga strukturat e policisë, të përfshira në këtë operacion, është ushtruar kontroll në banesat e tyre. Në shtëpinë e Kujtim Laçit u gjetën dhe u sekuestruan, me cilësinë e provës materiale, 200 gramë lëndë narkotike e dyshuar e llojit kokainë.
Lënda e fortë narkotike, në tregun e zi të Tiranës, ka një vlerë prej afro 15 mijë eurosh.
Akuzat
Policia e Shtetit bën të ditur se ndaj Kujtim Laçit dhe Afrim Stafukës rëndojnë akuzat “trafik armësh e municionesh luftarake e kryer në bashkëpunim”, si dhe “prodhim e shitje të lëndëve narkotike”. Sipas të njëjtave burime, mësohet se hetimet janë kryer nga Sektori kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë kundër Krimit të Organizuar, për një kohë relativisht të gjatë në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda.

Të arrestuarit
1. Kujtim Islam Laçi, vjeç 44, lindur në Laç dhe banues në Fushë-Krujë,
2. Afrim Ramiz Stafuka, vjeç 39, banues në Fushë-Krujë.

Sekuestrohen
6 pistoleta tip “mini-zastava” të kalibrit 6.6 mm
200 gramë lëndë narkotike e dyshuar e llojit kokainë
2 automjete: njëri tip “Fiat” e tjetri tip “Audi”
3 palë targa false
3 aparate celularë.
Ky lajm është publikuar: 23/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›