E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stefan Fyle në Tiranë: Axhenda e integrimit, e rëndësishme për Shqipërinë – zgjedhjet të mos kontestohen

04-02-2013 / Gazeta 55

“Erdha për të diskutuar për çështjen më thelbësore të shtetit modern shqiptar, ç’duhet bërë për zgjedhjet që ato të mos kontestohen”. Kështu e ka komentuar arsyen e vizitës në Shqipëri komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle. Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian Stefan Fyle, ka pasur një axhendë të ngjeshur takimesh me krerët e politikës shqiptare. Klasa politike shqiptare duhet të gjejë gjuhën e përbashkët për të afruar më tej vendin me Bashkimin Europian. Ky është mesazhi që komisioneri për zgjerimin në Bashkimin Europian Stefan Fyle, dha gjatë takimeve që pati me krerët e politikës shqiptare.
Në një deklaratë për mediat, të shpërndarë nga zyra e shtypit e Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, thuhet se Komisioneri Fyle diskutoi me politikanët shqiptarë rreth prioriteteve të tyre përsa i përket aspiratave të vendit për integrim në Bashkimin Evropian dhe u nënvizoi partnerëve të tij që statusi i vendit kandidat për Shqipërinë është i arritshëm.
Sipas tij, u takon politikanëve shqiptarë ta bëjnë këtë realitet. Zgjedhjet e 23 qershorit, ishin në qendër të vëmendjes së takimeve të komisionerit. Komisioneri nënvizoi gjatë bisedimeve të tij në Tiranë që zhvillimi i suksesshëm i zgjedhjeve parlamentare të 2013 do të jetë një test kyç për funksionimin e mirë të institucioneve demokratike të vendit. Ai bëri thirrje të zhvillojnë zgjedhjet e qershorit në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Komisioneri për Zgjerimin nisi takimet me krerët e politikës shqiptare rreth orës 10.45 me kryeministrin Sali Berisha në selinë e qeverisë. Gjatë takimit që zgjati për rreth 1 orë e 10 minuta, është diskutuar mbi situatën politike në vend dhe përgatitjet për zgjedhjet të 23 qershorit.
Më pas, zyrtari i lartë europian i është drejtuar selisë rozë, kur ka pasur një takim me kreun e Partisë Socialiste Edi Rama. Pas takimit, në një deklaratë të Partisë Socialiste thuhet se Rama dhe Fyle diskutuan mbi fatin europian të Shqipërisë para dhe pas zgjedhjeve.
Kryesocialisti Rama, ka paraqitur propozime konkrete për të garantuar, sipas deklaratës së PS-së, lirinë e ndershmërinë e zgjedhjeve.
Pas këtij takimi, komisioneri pati një drekë pune me Presidentin e Republikës Bujar Nishani.

Volfarth pas takimit me Fylen: Shqipërisë i duhet lojë në ekip
“Do doja të thoja një mesazh të thjeshtë. Shqipëria pret të shohë lojë në ekip nga udhëheqësit politikë. Dhe loja në ekip është ajo që duhet për të çuar vendin përpara. Po pres më padurim të shoh rezultatet e vizitës së komisionerit Fyle”- deklaroi ambasadori i OSBE-së në Tiranë pas takimit me komisionerin e Zgjerimit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›