Berisha: PD përgatitet për mandatin e tretë, Rama drejt humbjes së tretë
Kreu i qeverisë akuza lidershipit socialist, nga mbledhja e grupit parlamentar të PD
Kryeministri Sali Berisha e nisi mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së duke folur për prezencën e tij në konferencën e Sigurisë që u zhvillua në Mynih. Në fjalën e tij Berisha akuzoi kreun socialist Edi Rama, se po përgatit bojkotin e tretë.
“Ne përgatitemi për qeverinë e mandatit të tretë, zotëria përgatitet për bojkotin e tretë, por jemi vend i lirë dhe secili bën zgjedhjen e tij”-deklaroi Kryeministri.
Ai shprehu vullnetin dhe vendosmërinë e mazhorancës për përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, pasi janë të gjitha kushtet, ndërsa akuzoi Ramën se po përgatit justifikimin e humbjes së radhës.
“Dy muaj më parë u ra sirenave brenda e jashtë vendit shkruajti me dhjetëra letra në të katër anët duke u thënë shqiptarëve se Berisha po merr mandatin, kërkoi komision hetimor parlamentar për projektin që bllokoi në KQZ, kërkoi shkarkimin e z. Noka, kërkoi e mblodhi përfaqësuesit e trupit diplomatik. Pas dy muajsh, tani që e sheh se atë deputetin e Beratit mund ta marrë LSI, dhe se tani duhet të akuzojë përsëri kthehet te varianti i parë. Po përgatit post 23 qershorin. Hoqi Dash Pezën dhe mori Alfred Pezën. Të gjitha këto janë një kaos i tij i vërtetë”- deklaroi Berisha, i cili shtoi se do të vijojë të gjitha reformat për procesin e integrimit.
“Të gjitha reformat ekonomike, të sigurisë e rendit dhe ato në luftën kundër korrupsionit duhet të ndërmerren me vendosmëri të madhe”- tha më tej ai.
Berisha akuzoi Ramën se po sulmon këto ditë forcat e rendit për fajin e vetëm të tyre, sipas tij se kanë një prej treguesve më të lartë në goditjen dhe zbulimin krimit.
“Ne nuk duhet të përfitojmë nga paniku i kundërshtarit”-tha Berisha, por duhet të vijojmë reformat pavarësisht fushatës elektorale.
Kryeministri flet për pjesëmarrjen në konferencën për Sigurinë në Mynih
Duke u ndalur në konferencën e Mynihut shefi i qeverisë përmendi adresimin e zv/presidentit Joe Biden në këtë konferencë. Zv/presidenti amerikan-tha Berisha paraqiti bilancin e mandatit 4 vjeçar në fushën e sigurisë në botë, ku theksoi rolin thelbësor të Europës, për paqen e stabilitetin në botë për promovimin e sigurisë, si një partnere domosdoshme e SHBA-së.
Sipas tij Shqipëria mori pjesë në këtë konferencë si vend me një rritje ekonomike në vijim dhe që nuk e njohu recension. Berisha akuzoi kreun e opozitës Edi Rama në lidhje me taksën progresive të propozuar nga socialistët, duke e akuzuar se nxit fuqishëm evazionin fiskal dhe largonin investitorë, ndërkohë që sipas tij ajo sulmohet edhe nga akademikët më të madhej botërorë.
“I them këtij spekulatori se ky është sistemi i taksave. Ai që merr 400 paguan 40, ai që merr 20 mijë paguan 200 qind. Natyrisht po të jetë për të paguar më shumë ky është sistemi më i mirë. Po qe për të futur urrejtjen se ti je i pasur dhe unë të shkatërroj lexoni taksën e Kolekës, që atakohet nga grupet më të mëdha akademike të botës, pasi është faktuar si një taksë që largon investitorët nga vendi. Nxit në mënyrë të fuqishme evazionin fiskal”- deklaroi ai.
Berisha informoi deputetët e PD-së edhe për takimet dhe pikëpamjet e tij ecurinë e projektit TAP.
Gjithashtu ai shprehu në këtë konferencë edhe pikëpamjet e tij të njohura mbi zhvillimet në Ballkan dhe shqetësimet që janë për t’u zgjidhur në të ardhmen, që sipas tij patën jehonë pozitive.
“Theksova se albanofobia konsiston në rajon dhe ka potencialin vet destabilizues. Solla në vëmendje të asaj audience dhe problematikën reale të Ballkanit Perëndimor në të cilën shqiptarët janë në pozitë delikate se janë të ndarë në 5 shtete dhe në mënyrë të paevitueshme çdo zhvillim që ndodh në territorin ku banojnë shqiptarët prek tërësinë kombëtare”- u shpreh ai.
...