Stefanoviç: Dialogu me Kosovën nuk është ndërprerë

Kreu i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borislav Stefanoviç ka thënë se dialogu vetëm është shtyrë dhe nuk është ndërprerë, pasi sipas tij, ndërmjetësi Robert Cooper ka vendosur duke parë se të dyja palët, e kanë të vështirë të pajtohen ndërmjet tyre, për temat që ishin parashikuar në axhendë.
Sipas tij, asnjëra palë nuk duhet të fajësohet për shtyrjen e dialogut, pasi tha se bisedimet thjesht janë shtyrë për në shtator në mënyrë që të ketë më shumë kohë që të gjenden zgjidhje më të mira. “Mendoj se është shumë i mençur vendimi për shtyrje sepse kemi më shumë kohë që të gjejmë zgjidhje më të mira. Ne do të vazhdojmë konsultat dhe konferencat për të gjetur zgjidhje”, tha ai.
Duke folur rreth qëndrimit të eurodeputetes, Ulrike Lunacek e cila ka theksuar se Serbia po bllokon procesin e dialogut dhe për këtë Serbia po e humb mundësinë që të marrë statusin e kandidatit të BE-së, Stefanoviç tha se këtë deklaratë e kundërshtojnë plotësisht.
“Është një gjë e pritshme nga zonja Lunacek përderisa është raportuese për Kosovën dhe është njëra nga ato që është avokate e fuqishme për këtë çështje, por ajo e ka gabim. Serbia nuk e ka bllokuar këtë raund bisedimesh. Nuk ka asnjë afat që na përcakton se kur duhet të arrihen marrëveshjet...” tha ai.
Kreu i delegacionit të Serbisë u shpreh i sigurt se qeveritë e shumicës së vendeve të BE-së do ta përkrahin Serbinë në marrjen e statusit kandidat, përderisa sipas tij janë duke i plotësuar të gjitha kriteret