E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stefanoviç: Nuk diskutohet për strukturat paralele

Shefi i ekipit negociator të Serbisë, Borislav Stefanoviç, ka bërë të ditur se shuarja e strukturave paralele serbe në veri të Kosovës nuk do të jetë temë e vazhdimit të dialogut me Kosovën, për shkak se sipas tij, pala serbe nuk është e gatshme që të bisedojë lidhur me këtë çështje.

“Heqja e “institucioneve” serbe nuk është temë e dialogut dhe as nuk do të jetë. Temë e dialogut mund të jetë çështja e veriut të Kosovës. Ne këtë e kemi paralajmëruar edhe më herët dhe jemi të gatshëm të bisedojmë, po as kjo në këtë moment nuk është në rendin e ditës. Kur do të jetë, kjo do të jetë çështje e marrëveshjes”, ka thënë Stefanoviç për mediat serbe.

Sipas tij, “dialogu gjithmonë ka pasur dimensionin e statusit dhe se edhe më herët, por edhe tani është treguar se është shumë e dëmshme limitimi i tij në nivel teknik”.

“Ne kemi dialogun rreth çështjeve të jetesës dhe atyre praktike. Secila prej këtyre çështjeve në vete ka dimension të fuqishëm politik dhe të statusit”, është shprehur Stefanoviç, raporton gazeta serbe Blic. Sipas tij, Serbia përmes dialogut fiton shumë, pasi kjo është mënyra e vetme për zgjidhjen e problemeve ekzistuese.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›