Kosovë, riformatohet Qeveria

Brenda një muaji, kryeministri Hashim Thaçi ka në plan të zëvendësojë disa ministra dhe zëvendësministra, si dhe të bëjë ndryshime përbrenda Kabinetit qeveritar.Ky lajm është publikuar ditën e sotme në median e shkruar kosovare. Sipas gazetës “Koha Ditore”, procesin e riformatimit të Qeverisë do ta bëjë në kohën kur do ti duhet të zëvendësojë një ministër të partisë së tij, PDK-së, me një të partnerit kryesor në koalicion, AKR-së, në mënyrë që të përmbyllë marrëveshjen e bashkëqeverisjes, ka thënë një burim i gazetës i afërt me kreun e ekzekutivit.
Sipas këtij burimi, tashmë janë duke qarkulluar emrat e tre-katër ministrave aktualë që do t`i nënshtrohen procesit të riformatimit, por ai nuk ka përmendur emrat e tyre. Po kështu, ai ka theksuar se gjatë këtij procesi nuk do të ndërrojnë partnerët e koalicionit.“Jo, partnerët mbeten të njëjtët. Vetëm ndonjë ministër ose zëvendësministër do të ndërrohet”, ka shtuar ai. Një burim tjetër ka treguar se kryeministri Thaçi, që është edhe kryetar i PDK-së, ka pasur një takim të gjatë të premten me zëvendësin e parë të tij në Qeveri, Behxhet Pacollin, me të cilin ka nënshkruar marrëveshjen e koalicionit në emër të AKR-së. Sipas këtij burimi, një nga çështjet e diskutuara midis tyre ka qenë edhe implementimi i marrëveshjes së partneritetit qeverisës, por ky është shprehur skeptik se riformatimi mund të ndodhë shumë shpejt.