E Diel, 1 Nëntor 2026

Stefanovic: Pjesëmarrja e Tadiçit në samitin e Sllovenisë, ndikim negativ në procesin në GJND

Pjesëmarrja e Serbisë në samitin e Sllovenisë do të perkthehej ne njohjen e pavarësisë së Kosovës. Keshtu ka deklaruar Drejtori politik i Ministrisë së Jashtme serbe Borislav Stefanovic, duke argumentuar bojkotin e Presidentit Boris Tadic. Megjithatë, arsyeja e vërtetë e bojkotit të Tadicit është Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Ulja në një tryezë e presidentit serb me kryeministrin e Kosovës, sipas Beogradit, do të reflektohej negativisht për Serbinë në procesin rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në Hage. Këtë e konfirmon edhe Stefanovic. “Në situatën kur shefi i shtetit duhet të marrë pjesë në një takim joformal të cilin nuk e organizon BE, çmimi që do të paguante Serbia do të ishte i madh, veçanërisht para përfundimit të procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Prishtina do ta përdorte këtë për të dëshmuar se Beogradi në këtë mënyrë e ka njohur tërthorazi pavarësinë e Kosovës. “Serbia nuk mund t’i lejojë vetës të vije në situatë që të shkel integritetin dhe kushteton e vet”, ka thënë Stefanovic.

Ai ka shtuar se Serbia nuk dëshiron të pengojë pjesëmarrjen e Kosovës në takimet rajonale, por, “kjo duhet bërë në përputhje me rezolutën 1244”.

Stefanovic ka thënë se Prishtina në disa forume të mëhershme, ku ka marrë pjesë edhe përfaqësuesi i Serbisë, e ka shfrytëzuar këtë si dëshmi se gjoja Beogradi e ka njohur pavarësinë e Kosovën.

Ndryshe, në Beograd ka politikanë të cilët mospjesëmarrjen e Tadicit e kanë vlerësuar të dëmshme për interesat e Serbisë. “Mospjesëmarrja është dëm i madh. Ende nuk po mund të demonstrojmë se Serbia është vërtetë e përcaktuar për Bashkimin Europian dhe që të bisedojë me përfaqësuesit e Kosovës, para se gjithash rreth cilësisë së jetës së njerëzve të cilët jetojnë në Kosovë”, ka thënë lideri i Partisë Liberale Demokratike, Cedomir Jovanovic.

Ai ka theksuar se “nga shmangia e dialogut nuk ka asgjë evropiane dhe ky është sinjali më i keq i mundshëm që po i dërgojmë Bashkimit Europian”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›