E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata liron doganierët e akuzuar për kontrabandë

Bashkë me dy punonjësit e shtetit, edhe tregtarët e veshjeve janë vlerësuar me masën “detyrim paraqitje”

Gjykata e Tiranës ka liruar dje të gjithë të akuzuarit për kontrabandë në Rinas, duke i lënë në “detyrim paraqitje”. Gjykata ka dhënë këtë masë, si për tregtarët, ashtu edhe për doganierët, të cilët dyshohen se kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për të kaluar në kufi rroba kontrabandë, që vinin nga Turqia. Sipas të dhënave, gjykata ka vlerësuar se në momentin e kalimit në kufi, tregtarët i kanë kaluar çantat dy e nga dy, duke i mbajtur në dorë dhe doganierët nuk kanë mundur t’i ndalojë për kontrabandë. Ndërkohë, bashkimi i çantave është bërë vetëm pasi kanë dalë nga aeroporti. Në këto kushte, Gjykata e Tiranës ka vendosur që ata të ndiqen në gjendje të lirë dhe ka dhënë masën “detyrim paraqitje”. Gjatë operacionit “Rinas I” u arrestuan dy tregtarë, një shofer dhe dy doganierë. Ndërsa dy doganierë të tjerë u proceduan penalisht në gjendje të lirë. Policia tha se në sajë të posedimit të informacioneve mbi veprimtarinë e tyre, si dhe një hetimi afro 3 muaj, u bë e mundur kapja e tyre në autostradën Tiranë–Durrës, në afërsi të kilometrit të gjashtë, ku u mor masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë të shtetasve Shkëlzen Hasani, 37 vjeç, me detyrë shofer. Pas tij, policia arrestoi tregtarët Renato Sinoimeri, 37 vjeç dhe Astrit Sela, 57 vjeç. Gjithashtu, gjatë hetimit ka rezultuar se ata kanë bashkëpunuar me doganierët Basri Toçilla, 37 vjeç dhe Gjin Dedndreaj, 61 vjeç. Po ashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë edhe për Peme Paçon, 45 vjeçe, me detyrë doganiere dhe Sokol Gashi, 51 vjeç, me punë përgjegjës turni në degën e Doganës Rinas. Arrestimi i tyre u bë sepse dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë lejuar të kalojnë në pikën Doganore të Rinasit një sasi malli, i cili pasi u kontrollua rezultoi se nuk kishte dokumente shoqërimi, duke mundësuar më pas transportimin e tyre me automjetet tip “Mercedes Benz”, me targë TR 0883 K dhe “Ford Fiesta”, me targë TR 8693 M. Pas një kontrolli të ushtruar, u sekuestruan 680 kostume femrash dhe 60 funde, si dhe dy mjetet e lartpërmendura.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›