Vrau çiftin shqiptar në SHBA, 60 vjet burg emigrantit nga Etiopia
Vrasja e një çifti shqiptar dhe një personi të tretë do t’i kushtojë 60 vite burg Kadir Babisos nga Etiopia. Ngjarja e rëndë ndodhi tre vite më parë në Bridgeport, Konektikat, SHBA, dhe gjatë ditës së djeshme, një gjykatë lokale ka dhënë vendimin për të arrestuarin. Në vendim thuhet se Babiso, i cili ishte shkarkuar nga puna për vjedhje dhe më pas kreu një vrasje të trefishtë, do të dënohet me 60 vite burg të sigurisë së lartë. Vendimi është kundërshtuar nga pala mbrojtëse. Avokati Miles Gerety tha se klienti i tij është penduar për krimin e bërë dhe nuk e meriton këtë dënim të rëndë. çifti shqiptar që kishte vite që jetonte në SHBA, ka lënë jetimë katër fëmijë. Bashkim dhe Lumnie Emini janë vrarë më 8 janar 2007, ditën e hënë në mbrëmje në qytetin Bridgeport të shtetit Konektikat. Për vrasjen e trefishtë u arrestua Kadir F. “B.B.”. Babiso, i cili kishte ardhur në SHBA para 23 vjetëve nga Etiopia. Sipas policisë, Babiso ka vrarë çiftin Emini, si dhe bashkëpunëtorin e tyre, Mehrdad Moussavian, 37 vjeç, i cili ishte edhe punëdhënësi i dorasit, për shkak te një zënke rreth parave dhe disa paketave të cigareve të vjedhura. Babiso ishte përjashtuar më parë nga puna, për shkak se dyshohej se kishte vjedhur disa paketa cigare nga pompa e benzinës, ku kishte punuar dhe që ishte pronë e biznesmenit iraniano-amerikan Moussavian. Viktimat dhe autori i veprës penale njiheshin njëri me tjetrin, pasi kishin punuar në të njëjtin vend. Babiso, pasi i kishte vrarë tre personat, kishte shkrepur edhe në drejtim të katër fëmijëve të familjes Emini, të cilët kanë arritur të arratisen dhe t’i shpëtojnë vrasjes. Të vetmit dëshmitarë okularë të kësaj ngjarje kanë mbetur fëmijët, të cilët panë me sytë e tyre skenën e plotë të vrasjes së prindërve. Ata janë katër fëmijë, që kanë mbetur jetimë, nxënës të shkollës fillore Roosevelt School (Dorontina 9 vjeçe, Denisa 8 vjeçe, Dorarti 6 vjeç dhe Afërdita 3 vjeçe). Fëmijë të cilët kanë ndihmuar me dëshminë edhe gjykimin e vrasësit.
#