Familjarët gjejnë pas dy muajsh trupin e peshkatarit
është gjetur në Liqenin e Shkodrës trupi i pajetë i peshkatarit Agim Kurti, i mbytur dy muaj më parë. Trupi i viktimës është gjetur nga kërkimet e vetë familjarëve. Agim Kurti, së bashku me kushëririn e tij Kujtim Kurti, u mbytën dy muaj më parë në Liqenin e Shkodrës në kohën që kishin dalë për peshkim. Trupi i njërit prej të mbyturve, Kujtimit, u gjet pak ditë pas ngjarjes nga policia, ndërsa viktima tjetër, i ndjeri Agim Kurti, u gjet vetëm dje, pas dy muajsh kërkime nga vetë familjarët e tij. Familja Kurti jeton në Malësi të Madhe, në fshatin Kçarë të Komunës Gruemirë, në afërsi të Liqenit të Shkodrës. Kanë qenë vetë familjarët e tyre që kanë denoncuar në Komisariatin e Malësisë së Madhe dy muaj më parë për zhdukjen e të afërmeve të tyre. Forcat e policisë në bashkëpunim me RENEA-n dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë nisën menjëherë aksionin për gjetjen e dy personave të zhdukur. Pas disa orë kërkimesh, policia arriti të gjejë trupin e pajetë të shtetasit Kujtim Kurti. Dy kushërinjtë kishin dalë me varkë në Liqenin e Shkodrës për të peshkuar dhe me punën e tyre siguronin ushqim për familjen. Ata jetonin në kushtet e një varfërie totale, peshkimi ishte mundësia e vetme për të mbajtur shpirtin gjallë. Ndërkohë, në lidhje me këtë ngjarje ka qenë vënë në dijeni dhe pala malazeze dhe, sipas uniformave blu, patrulla e përbashkët e policisë shqiptaro-malazeze ka kontrolluar gjithë zonën ku dyshohet se mund të ishte përmbysur varka. Kërkimet janë përqendruar në territorin malazez, ku dhe dyshohet se mund të ketë ndodhur ngjarja që shkaktoi mbytjen e dy peshkatarëve. Por këto kërkime u ndërprenë pas disa ditësh, për shkak të territorit të madh të kërkimit dhe kohës së keqe. Ishin familjarët ata që më pas me kërkimet e tyre arritën të gjenin trupin e pajetë të të afërmit të tyre të mbytur dy muaj më parë.
#