Stefanoviç: Thaçi zbaton marrëveshjen sipas interesave
Shefi i delegacionit serb në bisedimet Kosovë-Serbi, Borisllav Stefanoviç, tha se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe një pjesë e komunitetit ndërkombëtar po përpiqen të zbatojnë marrëveshjen e arritur në Bruksel ashtu siç u intereson atyre. Stefanoviç mësohet t`i ketë bërë këto komente para gazetarëve në Leposaviç.
“Marrëveshja ka tre fjali, bazohet vetëm në vula dhe në dokumentet përcjellëse. Nuk bëhet fjalë për vendkalimet kufitare, meqë Prishtina nuk ka dashur një gjë të tillë”, u shpreh ai. Nga ana tjetër Stefanoviç tha se zgjidhja duhet të kërkohet përmes dialogut, por jo me doganierët kosovarë në veri.