E Diel, 1 Nëntor 2026

Stefanovic: Veriui Kosovës, zgjidhjatë sigurojë paqen

BEOGRAD- Udhëheqësi i ekipit negociator serb në bisedimet Prishtinë-Beograd, Boris Stefanovic ka deklaruar se çështja e veriut të Kosovës duhet të zgjidhet në mënyrë të tillë që ta ruajë paqen dhe stabilitetin.

Koha ditore bën të ditur se Stefanovic ka deklaruar për mediat kosovare se ekipi negociator serb nuk është dërguar në Bruksel për t’ia hapur rrugën pavarësisë së Kosovës dhe as që ta njohë pavarësinë e saj, por për të trajtuar çështjet konkrete.
“Njëra prej çështjeve është veriu i Kosovës dhe kjo çështje duhet të zgjidhet në atë mënyrë që të ruhet paqja dhe stabiliteti”,- ka theksuar Stefanovic, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos reagojnë ndaj provokimeve dhe manipulimeve, si dhe të kujdesen për veten dhe pronat e tyre.

“Fakti se qytetarët serbë kanë arritur të qëndrojnë në Kosovë me gjithë vështirësitë dhe dëbimet, është garanci se Republika e Serbisë është e pranishme në Kosovë dhe se Kosova është pjesë e shtetit të Serbisë”, ka nënvizuar Stefanovic.

Ai ka paralajmëruar se dialogu me Prishtinën do të vazhdojë në fund të marsit, duke shtuar se opinioni dhe qëndrimi i serbëve të Kosovës do të prezantohet tani për tani nga ekipi negociator, mirëpo kjo nuk e përjashton mundësinë që një ditë ata të jenë personalisht të pranishëm në takimet në Bruksel.
Beogradi dhe Prishtina do të mundohen që të zbatojnë marrëveshjet e arritura gjatë bisedimeve përmes vendimeve të bëra nga organet e tyre kompetente, ka thënë ai.

“Jam i befasuar nga pohimet e Prishtinës se ata do të mundohen me çdo kusht që të mos i ndryshojnë ligjet dhe rregulloret, pasi që nuk jam i sigurt se një gjë e tillë është e mundur”,- ka ka deklaruar Stehfanovic duke shtuar se gjëja pozitive në këtë mes është se BE është partner, ndërmjetësuese dhe pjesëmarrëse në bisedime, pasi që në këtë mënyrë e ka rolin e garantueses për zbatimin në terren të marrëveshjeve të arritura.

(e.m/koha/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›