E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stefanoviç e Lidington diskutojnë për Kosovën

Kreu i delegacionit serb në dialogun me Kosovën, Borisllav Stefanoviç, do të takohet sot me ministrin britanik për çështje evropiane, Dejvid Lidington, ndërsa temë kryesore e bisedimeve mësohet të jetë situata në veri të Kosovës.

Në deklaratën e qeverisë së Serbisë thuhet se Stefanoviç dhe Lidington do të bisedojnë në Beograd për situatën aktuale në Jarinë dhe Bërnjak, si dhe për modalitetet e mundshme për tejkalimin e krizës.

Në veri të Kosovës mungon liria e lëvizjes, pasi serbët lokalë kanë vendosur barrikada si reagim ndaj dërgimit të doganierëve dhe policëve kosovarë në pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, përkatësisht në Jarinë dhe Bërnjak.

Deklarata e ekzekutivit serb bën të ditur se Stefanoviç dhe Lidington do të diskutojnë edhe mundësitë e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi.

Raundi i fundit i këtij dialogu, i parashikuar të mbahej më 27 dhe 28 shtator, ishte anuluar, pasi BE-ja dhe SHBA-ja, si ndërmjetëse në këtë dialog, nuk pranuan kërkesën e Serbisë që të flitej për gjendjen në portat kufitare në veri.

Dialogu Prishtinë-Beograd ka nisur në muajin mars të këtij viti, ndërsa deri më tani janë arritur 5 marrëveshje. Serbia vlerësohet se nuk po i zbaton ato.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›