E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stefanoviç: Nesër bisedime me Kuper për pikat kufitare

BEOGRAD- Shefi i ekipit negociator të Serbisë, Borko Stefanoviç, deklaron se nesër do të nisë bisedimet me ndërmjetësin e Bashkimit Evropian, Robert Kuper, për vendkalimet në Bërnjak dhe Jarinë.

“Kuper dhe unë do të bisedojmë nesër nëpërmjet video-linkut. Pres që me këtë rast të përkufizohen edhe disa gjëra të tjera”, ka thënë Stefanoviç për mediat serbe.

Duke komentuar aksionin e sotëm të KFOR-it dhe EULEX-it për mbylljen e rrugëve dytësore që janë hapur në afërsi të vendkalimit kufitar në Jarinë, Stefanoviç ka thënë se “mbyllja e tyre, nuk i kontribuon zgjidhjes së problemit”.

“Këto rrugë, i mundësojnë njerëzve në veri një jetë normale, në rrethanat e sotme. Prej tyre varet furnizimi normal i popullatës, shumë qytetarë duhet të vijnë të punojnë në Rashkë nëpërmjet këtyre rrugëve”, ka thënë Stefanoviç.

(s.g/rel/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›