Stefanson: Islanda, përkrahje Shqipërisë për integrimin në NATO
Kryeministri Berisha priti sot përfaqësuesin diplomatik të Islandës në vendin tonë, rezident në Stokolm, zotin Guomundur Arni Stefanson.
Zoti Stefanson shprehu kënaqësinë për pritjen dhe i përcolli Kryeministrit përshëndetjet e qeverisë së Islandës. Ai u shpreh se Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në rrugën e saj të reformave, në veçanti të integrimit në NATO. Zoti Stefanson shprehu përkrahjen e plotë të Islandës për proceset integruese të Shqipërisë.
Kryeministri Berisha e njohu zotin Stefanson me reformat e ndërmarra në veçanti në fushën ekonomike, tërheqjes së investimeve të huaja dhe implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkim Europian, si dhe për përmbushjen e kritereve për integrimin në NATO.
Gjatë takimit, zoti Stefanson nënvizoi se është rritur interesi i investitorëve islandezë për të investuar në Shqipërisë. Nga ana e tij, Kryeministri u shpreh se investitorët islandeze janë të mirëpritur dhe do të kenë përkrahjen e plotë të qeverisë.
Dy personalitetet rikonfirmuan vullnetin për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjithë fushat.