Kryeministri Berisha: Rritja e pagave dhe pensioneve, prioritet për qeverinë
Kryeministri Berisha tha sot, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, se qeveria këtë javë vendos për rritjen e rrogave në dy sektorë të mëdhenj të administratës, arsim dhe shëndetësi, nga 20 deri në 25 për qind. Krahas kësaj, do të ketë një rritje të dytë të pensioneve në muajin korrik, falë buxhetit suplementar.
Gjithashtu, Kryeministri pohoi se edhe rrogat e tjera do të rriten me 10 për qind, duke përjashtuar këtu efektin e taksës së sheshtë.
Kjo rritje, u shpreh Kryeministri, synon realizimin e objektivit të qeverisë për dyfishimin e buxhetit për arsimin dyfishimin e rrogave për mësuesit, gjatë 4 viteve, modernizimin e mëtejshëm të shkollave, shtrirjen e internetit në çdo shkollë, përgatitjen masive të fëmijëve për moshën dixhitale të vendit dhe po kështu, rritjen dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit mjekësor.
Përsa i përket pensioneve, Kryeministri Berisha theksoi se pavarësisht nga rritja që u bë në janar, e cila është e ndjeshme, do të ketë një rritje të dytë të pensioneve në muajin korrik, me prioritet pensionet e ulëta. Ky hap plotëson në mënyrë të ndjeshme dhe e thellon më tej rritjen e madhe që u bë në janar.
Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh:
"Sot, në ekspozenë time kam përzgjedhur një çështje, e cila u intereson mbi 100 mijë punonjësve të administratës shtetërore dhe familjeve të tyre, sikundër edhe mbi gjysmë milioni pensionistë shqiptarë.
Qeveria këtë javë vendos për rritjen e rrogave, e cila do të jetë nga një 20 deri në 25 për qind, për dy sektorë të mëdhenj të administratës, arsimi dhe shëndetësia, të cilët së bashku përbëjnë afro 60 për qind të saj. Kjo rritje synon të investohet me përparësi në burimet njerëzore, në kapacitetet njerëzore, investim ky jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe që synon realizimin e objektivit tonë të dyfishimit të buxhetit për arsimin, gjatë 4 viteve, dyfishimit të rrogave për mësuesit gjatë 4 viteve, modernizimin e mëtejshëm të shkollave, shtrirjes së internetit në çdo shkollë, përgatitjes masive të fëmijëve për moshën dixhitale të vendit dhe po kështu, rritjen, përmirësimin e cilësisë së shërbimit mjekësor.
Në këtë kontekst, rritje të qartë do të kenë edhe rrogat e tjera, të cilat rriten me 10 për qind, duke përjashtuar këtu efektin e taksës së sheshtë.
Krahas kësaj rritjeje të ndjeshme të madhe të rrogave, qeveria ka vendosur të bëjë një ndërhyrje të dytë për pensionet. Këtë vit, siç ju jeni dëshmitar, për realizimin e rritjes së pensioneve nuk pritëm muajin korrik, por kjo u bë që në janar, si për pensionet e qytetit, ashtu edhe për pensionet e fshatit. Por, pavarësisht nga rritja që u bë në janar, e cila është e ndjeshme, do të ketë një rritje të dytë të pensioneve në muajin korrik, falë buxhetit suplementar. Kjo rritje u intereson më shumë pensioneve të ulëta sesa atyre larta, pra ndiqet e njëjta logjikë si ajo për rritjen e rrogave. Ky hap plotëson në mënyrë të ndjeshme dhe e thellon më tej rritjen e madhe që u bë në janar. Ju jeni dëshmitar që ne, në muajin janar, vendosëm pensionin minimal 50 mijë lekë në fshat. Tani, sërish do të ketë një rritje të dytë. Rritje të dytë do të ketë edhe për pensionistët e qytetit, pavarësisht nga rritja e parë e cila nisi efektin që në muajin dhjetor, pra një muaj përpara vendimit. Kjo u realizua për shkak të një fondi suplementar që u krijua.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri Berisha u ndal edhe në çështjen e shpërblimeve për gradat dhe titujt shkencorë në administratë, si një domosdoshmëri për motivimin, rritjen e nivelit dhe cilësisë në korpusin e shërbimit civil
Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh: Qeveria do të vendosë shpërblimin për gradat, titujt shkencor në administratë, si një domosdoshmëri. Kjo është e nevojshme, sepse në të kundërt, të gjithë të titulluarit dhe të graduarit gjejnë një trajtim shumë më të mirë në jetën dhe institucionet akademike sesa në ato shtetërore. Por këta punonjës janë të domosdoshëm dhe ata duhet të përbëjnë korpusin e shërbimit civil dhe ata duhet të angazhohen edhe në poste të tjera edhe jashtë këtij shërbimi. Në këtë kuadër, vendoset një shtesë për titujt shkencor, për titullin "Doktor Shkencash" po kështu, për masterin pasuniversitar, të mbrojtur jashtë apo brenda vendit, për asistent profesorin që angazhohet në administratë.
Ky është një hap shumë i domosdoshëm dhe i rëndësishëm për administratën shqiptare, sikundër gradualisht, duhet të shkojmë jo vetëm drejt njohjes së të drejtës së tyre, por edhe lehtësive që duhet të gjejnë ata në rast se mendojnë të rikthehen, pas vitesh shërbimi në administratë, në jetën akademike. Pra, duhet të krijohet një lloj mekanizmi, sepse mund të ketë nevojë për kontraktimin e tyre, për një periudhe të caktuar, pra duhet një lloj komunikimi më i madh midis administratës publike dhe institucioneve akademike. Ky hap që bëjmë është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Intelektualët, ekspertët trajtohen për gradën që marrin në universitetin ku punojnë, por ata duhet të trajtohen për titujt edhe në administratën në të cilën vijnë. Kjo bëhen në kuadrin e investimeve në burime njerëzore, si investimi më i çmuar që ne mund të bëjmë"