E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Së shpejti një projekt prej 400 milion dollarësh për ndërtimin e rrugëve dytësore

U zhvillua sot pasdite, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, mbledhja e Këshillit të Ministrave. Në këtë mbledhje, Kryeministri paraqiti disa prej projektligjeve dhe projektvendimeve që u morën në shqyrtim, ndër të cilat veçoi projektligjin që trajton probleme të legalizimit dhe urbanizimit, si dhe projektligjin, i cili trajton problematikën e linjave komerciale të transmetimit të energjisë elektrike, ligj ky që i hap rrugën pjesëmarrjes aktive të sektorit privat në ndërtimin dhe shfrytëzimin e linjave të transmetimit të tensionit të lartë.

Kryeministri Berisha njoftoi se në mbledhjen e ardhshme do të miratohet buxheti shtesë, suplementar, i cili do të përqëndrohet sërish në drejtimet themelore si rritja e rrogave dhe pensioneve, apo shfrytëzimi i tij për projekte të mëdha infrastruturore të vendit, si autostrada Durrës-Morinë, autostrada Korçë-Qaf Plloçë, autostrada Bratë-Bulqizë etj.
Duke theksuar se ky buxhet suplementar do të krijojë mundësi për të vazhduar projektet dhe për të hapur punë të reja, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm infrastrukturën e vendit, Kryeministri informoi se Banka Botërore po konkretizon projektin për rrugët dytësore, me akordimin e nje kredie prej 400 milion dollarë.

Ndër të tjera, Kryeministri në fjalën e tij u shpreh:

"Në këtë mbledhje do të shqyrtojmë një seri projektligjesh dhe projektvendimesh, të cilat trajtojnë probleme që lidhen me legalizimin, një përcaktim më i qartë, i ndarjes së të ardhurave, trajtojnë probleme të cilat kanë të bëjne më linjat komerciale të transmetimit të energjisë elektrike, ligj i cili hap rrugën pjesëmarrjes aktive të sektorit privat në ndërtimin dhe shfrytëzimin e linjave të transmetimit të tensionit të lartë.

Gjithashtu janë një seri vendimesh të tjera, të cilat kanë të bëjnë me informacionin e klasifikuar, kalimin tranzit të trupave ushtarake të vendeve mike përmes territorit tonë, etj.

Në mbledhjen e ardhshme miratojmë buxhetin shtesë, buxhetin suplementar, i cili do të përqëndrohet sërish në drejtimet themelore që është përqëndruar edhe rradhën e pare, pra do të përqëndrohet në rritjen e rrogave dhe pensioneve, do të përqëndrohet në projekte të mëdha infrastrukturore të vendit, si në autostradën Durrës-Morinë, autostradën Korçë-Qaf Plloçë, autostradën Bratë-Bulqizë. Natyrisht disa nga këto fonde i shtohen qevrisjes vendore. Duhet të jemi shumë të inkurajuar nga ky buxhet që krijon mundësi të mëdha për të vazhduar dhe për të hapur punëra të reja që përmirësojnë në mënyrë të ndjeshme infrastrukturën e vendit, duke krijuar vende të reja pune e duke lehtësuar tregun. Gjithashtu dua të informoj qeverinë se Banka Botërore po konkretizon projektin e rrugëve dytësore, projekt i cili dotë kapë një kredi prej 400 milion dollarë.
Natyrisht Ministria e Punëve Publike, Ministria e Financave, Ministria e Brendëshme, duhet të pregatisin të gjithë kuadrin, por Banka ka marrë vendimin pothuajse parapërfundimtar për të akorduar këtë kredi , duke e miratuar këtë projekt.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›