E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri takon gjeneralin Lance Smith, Komandant i Komandës së Forcave të Bashkuara të SHBA-ve dhe Komandës së Lartë të NATO-s për Transformimin

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Komandantin e Komandës së Forcave të Bashkuara të SHBA-ve dhe të Komandës së Lartë të NATO-s për Transformimin, gjeneralin Lance Smith. Kryeministri Berisha i shprehu gjeneralit Smith mirënjohjen për qeverinë amerikane, Presidentin Bush, Pentagonin dhe NATO-n për ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme për reformimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura Shqiptare dhe për integrimin në NATO.

Duke e vlerësuar integrimin në NATO projekt madhor të qeverisë, Kryeministri theksoi se të gjitha forcat politike mbështesin integrimin e vendit në NATO. Ne punojmë me vendosmëri, tha Kryeministri, për përmbushjen e të gjitha standardeve dhe për të qenë gati për samitin e Bukureshtit.
Kryeministri e njohu gjeneralin Smith me reformat e ndërmarra për transformimin e ushtrisë shqiptare në një ushtri të vogël dhe profesioniste deri në vitin 2010 si dhe rritjen e buxhetit të mbrojtjes në 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2008.

Zoti Berisha shprehu gjithashtu vendosmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me SHBA-të në luftën kundër terrorizmit dhe për të marrë pjesë në të gjitha misionet paqeruajtëse të NATO-s.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›