E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon ministrin e Brendshëm të Kosovës Blerim Kuçi

Sot paradite, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me një delegacion të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, kryesuar nga ministri i Brendshëm z. Blerim Kuçi.

Në fillim të takimit, Kryeministri e përgëzoi z. Kuçi dhe stafin e tij për punën e mirë që kanë bërë në Kosovë, duke treguar seriozitet dhe korrektësi në ushtrimin e detyrave të trupës policore të Kosovës. "Rezultatet e luftës kundër kriminalitetit në Kosovë, - vijoi Kryeministri Berisha, - tregojnë për përkushtimin dhe për aftësinë që ka tashmë administrata juaj. Ne duhet të thellojmë bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona në luftën kundër krimit të organizuar, si një e keqe që duhet ta luftojmë së bashku."
Kryeministri Berisha i njohu bashkëbiseduesit me nismat e qeverisë për modernizimin dhe thellimin e profesionalizmit të policisë shqiptare, si një hap i domosdoshëm për të rritur efikasitetin në luftën kundër krimit.

Nga ana e tij, ministri i Brendshëm i Kosovës, z. Kuçi i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e zyrtarëve më të lartë të Kosovës si dhe e falënderoi për gjithë punën që ai, personalisht dhe qeveria shqiptare kanë bërë për paqen, stabilitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Më tej, z. Kuçi i bëri Kryeministrit Berisha një ekspoze të punës së ministrisë së Brendshme të Kosovës, si reforma ligjore, përgatitja profesionale e trupës policore, etj.. Gjithashtu z. Kuçi nënvizoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes dy ministrive, me qëllim thellimin e luftës kundër krimit në rajon.

Bashkëbiseduesit ndanë pikëpamje të përbashkëta lidhur me çështjen e pavarësisë së Kosovës.

Në fund të takimit, ministri i Brendshëm i Kosovës, z. Blerim Kuçi i dhuroi Kryeministrit Berisha flamurin e Shërbimit Policor të Kosovës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›