E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Kushtet nga opozita nuk i shërbejnë procesit të negociatave për çështjen e Presidentit

Kryeministri Berisha u shpreh sot, në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, se procesi i negociatave për çështjen e Presidentit nuk ka nevojë për kushte, por për mirëkuptim. "Shpresoj që opozita të rishqyrtojë edhe njëherë çështjen e kushteve, pasi nuk i shërben procesit", tha Kryeministri.

Gjithashtu, Kryeministri theksoi se tryeza e bisedimeve duhet të jetë përfshirëse dhe jo përjashtuese, pasi secila palë ka detyrimet e saj ndaj aleatëve. Ne jemi të vendosur dhe e kemi deklaruar qëndrimin tone për përfshirjen e aleatëve në bisedime", vijoi zoti Berisha, duke falënderuar aleatët për mirëkuptimin e treguar gjatë gjithë këtyre ditëve të procesit.

Ndër të tjera, Kryeministri Berisha tha:

"Çështja e Presidentit është një çështje madhore. Për këtë arsye nisën dhe negociatat. Dua të shpreh keqardhjen e madhe dhe të shpresoj se opozita, ose Partia Socialiste, do të shqyrtojë qëndrimin e saj, sepse ne i jemi përgjigjur në kërkesat e saj. Ata kërkuan datën dhe u caktua data, ata u shprehën për tryezë dhe ne jemi për tryezë, ajo nisi punën.

Gjykoj se si për PD-në ashtu edhe për PS-në janë dy gjëra të domosdoshme; Së pari, tryeza duhet të jetë përfshirëse dhe jo përjashtuese, sepse secila palë ka detyrimet e saj ndaj aleatëve. Ne jemi të vendosur dhe e kemi deklaruar qëndrimin për përfshirjen e aleatëve tanë në bisedime. Unë dua t'i falënderoj ata për të gjithë mirëkuptimin që kanë treguar gjatë gjithë këtyre ditëve të procesit.

Së dyti, nëse ka diçka që bie ndesh hapur me përpjekjet konsensuale, janë vendosja e kushteve. Unë gjykoj se nuk është e dobishme që t'i vendosim kushte paraprake njëri-tjetrit. Procesi nuk ka nevojë për kushte, procesi ka nevojë për mirëkuptim. Për të listuar kushte nuk është e vështirë dhe secila palë mund të ketë të tilla. Shpresoj që opozita të rishqyrtojë edhe njëherë çështjen e kushteve, pasi nuk i shërben procesit. Ne nuk kemi kushtëzuar asnjë kandidat të tyre. U kërkuam të paraqesin kandidatë dhe ata u përgjigjën se do të sillnin një listë, por nuk e sollën.

Duhet të krijojmë kushte që të punohet me transparencë në këtë proces, në mënyrë që ai të ecë para dhe jo të vendosim kushte, si faktorë që nuk i shërbejnë procesit. Këto kushte janë realisht pa baza. Shpresoj që sot pasdite, në përputhje me vendimin e kryesisë së parlamentit, seanca parlamentare të zhvillojë punimet. Ndërkohë, kontaktet mes palëve duhet të jenë konstante dhe ata sërish duhet të ulen për të shqyrtuar bashkërisht, duke i lënë mënjanë paragjykimet. Ato nuk i shërbejnë askujt. Qëndrimet tona janë të qarta, të kthjellëta dhe ne jemi shprehur për president konsensual, sikundër, me të drejtën tonë të plotë ne kemi deklaruar se z. Topi është kandidat i shkëlqyer. Dhe këtë nuk e kemi deklaruar vetëm ne, por edhe vet ata, me exit-pol-et e tyre"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›