Stepje në dritë
Konstandin DHAMO
Kur mbërrin të pesëdhjetat, fillon e kthen kokën mbrapa gjithmonë e më tepër. Çfarë nuk kujton e çfarë nuk risjell ndër mend, ndërsa jeta here të duket e gjatë dhe e mundimshme, here e mrekullueshme, por e shkurtër sa pasthirrma ah. Unë, më shumë se çdo moshe tjetër, i kthehem asaj të fëmijërisë, edhe pse e kam kaluar përplot andralla dhe i rrethuar prej të afërmish të ftohtë e të pavëmendshëm .Por një fëmijë lëshohet aq papërmbajtshëm pas lodrave të hareshme dhe dëshirave, sa i përballon paqësisht mangësitë e përditshme.
Kështu, një mëngjes maji, hodha fotoaparatin në krah dhe u nisa për te shtëpia në rrugën “Ali Demi” , tek e cila kisha kaluar tërë fëmijërinë time. Ndjeja nevojë ta shihja dhe ta fotografoja, përndryshe imazhi i saj i vagullt nuk do të më ndahej së përhituri përpara syve. Le, pastaj, po të mendoje se rrezikohej të prishej nga dita në ditë.
Shtëpia ime e fëmijërisë më shkaktoi keqardhje, sapo e këqyra nga larg. Ia kishin lyer muret me ngjyra të çelëta, përnjëmend të gëzueshme, i kishin hedhur çatisë tjegulla krejt të reja dhe ato skuqnin e skuqnin gjer lart në kulm si prush i ndezur. Por mua e gjitha kjo m’u duk si një butafori e përkohshme letrash e leckurinash, një butafori që mund ta montoje e ta çmontoje sa here të doje.
As që e kisha idenë se kush banonte tashmë aty, por kur vura re dy benza me targa të huaja përpara portës së madhe, e mora me mend lehtësisht se, të paktën dy pjestarë të asaj familjeje, punonin diku në Europë. Përqark avllisë së oborrit tani përzgjateshin ca trotuare të ngushta, shtruar me pllaka të hirta, mbi të cilat duhej t’i hidhje hapat me kujdes, sepse që lart, nga muri, kacavareshin lastarët me gjethe rrotullare dhe lulet me erën e mirë e mallëngjyese të dorëzonjave, si edhe trëndafilat që kishin shpërthyer në një kuqëlim si perëndim i harruar.
Fotografova pothuaj me ngut, sikur pamjet që kisha përpara të ishin të brishta e flurore, aq sa mund t’i shprishte edhe një puhizë e hollë dhe po habitesha me veten që, gati-gati, po i mbaja mëri gjithçkaje të re e të ndryshuar. Madje ishte më shumë se mëri, ishte një raport armiqësor i vendosur aty për aty. Por çfarë të drejte kisha unë, fundi i fundit, të ndjehesha i fyer? Kush e njihte dhe e pranonte, dhe kush do të mund ta përligjte nostalgjinë time gjysmëshekullore? A, por nostalgjia e tillë është, ta tërheq e ta tërheq thellë shpirtin pas, ashtu si edhe zbatica që i tërheq dallgët drejt thellësive. Po, po, dhe nostalgjia nuk ndizet si një trill apo emocion i çastit, por mban gjatë dhe të kthehet në një ethe të qëndrueshme e të përherëshme, aq sa kur teprohet, të nxjerr edhe jashtë kohës e të ligështon.
Sidoqoftë, kishte një dritë mahnitëse, një dritë vizatuese që praronte çdo gjë, madje edhe ato pak re në qiell, që zbardhnin e buzëqeshnin tërë mirësi. Po, ç’zbardhëllim e ç’buzëqeshje? A nuk janë vetë retë ai brumi magjik, prej të cilit formohen rosat dhe patat e egra, mjellmat e pëllumbat, pulëbardhat dhlejlekët? Dhe i keni parë me siguri të gjithë këta shpendë; a nuk janë vërtet si shtëllunga resh puplore dhe a nuk shfaqem e nuk zhduken, a nuk vezullojnë dhe a nuk treten përrallisht në hapësirë njëlloj si ato? Por edhe pemët e sapobleruara, edhe qielli i nartë, rrugët me shkëlqim, apo edhe shtëpitë intime, s’di përse, të pëlqenin më shumë kur i shihje përmes objektivit të aparatit. Ndoshta ngaqë të krijohej përshtypja se po i kundroje paksa vjedhurazi, apo edhe ngaqë objektivi i ndante dhe i priste vetvetiu pamjet në detaje të veçanta, duke i kthyer si të thuash menjëhershëm në ca kartolina plot befasi, apo edhe në piktura të mirëfillta.
Po kopshti, ku mbeteshim e harroheshim tërë ditën, aq sa humbisnim edhe orët e mësimit? Kopshti me foletë e stërqokave, me foletë e qukapikëve ndër trungjet e lythëzuar, apo edhe me atë folenë e stërmadhe të lejlekëve atje, mbi çatinë gjysmë të rënë të asaj stallës së braktisur pranë përroit? Kopshti me barin e lartë sa të savanave, ku mbetej shiu i ndritshëm i prillit, që na lagte kërcinjtë. Kopshti me xixëllonjat, që i ndiqnim pas gjersa na zhdukeshin si pluhurizë yjesh. Kopshti që buisej në pranverë, kristalonte dimrit nga dëbora, dehej verës nga fermentimi i frutave, zverdhej vjeshtës si i hënëzuar, braktisej prej zogjve shtegtarë, pastaj fëshfërinte gjithë trishtim mallëngjimi.
Po ara ndanë tij, ara vangoghiane me grurë dhe lulkuqe, mbi të cilën fluturonin ulët pëllumbat? Ajo piqej në vapë, tundte e shkundte kallëzat mes flladesh, krihej apo shembej si valë, dhe dukej sikur mbi të ishte derdhur tërë floriri i diellit.
Pa hë, kush mund të më qortojë sot për orët e lëna të mësimit, për çantën e shkollës harruar në një qoshe, për sjelljen që s’e pata të shkëlqyer asnjëherë?
Por ç’të shkoja e të fotografoja andej, përderisa nuk kishte më as arë, as kopsht dhe as zogj? Kishte vetëm ca pallate të pistë me lloj-lloj teshash dhe rraqesh nëpër ballkone, ca pallate të ngjeshur njëri pas tjetrit dh që të bëhej sikur të vështronin urrejtshëm me ato sytë e shqyer të dritareve.
Andej nuk ishte më, pa mendo! as shtëpia e Lasgush Poradecit, sepse prej kohësh nuk pyet e nuk përgjigjet njeri për atë që prish. Madje, pasioni për të prishur, të cilin me sa duket na e dhuroi mercenarizmi, tashmë është një instikt që shprehet si rit folkloric.
Por, ja, që e kam një episod surrealist prej poetit të madh lirik, një poet që tashmë e di përmendsh, ndërsa atëherë ende s’ia kisha lexuar qoftë edhe një varg. Ia vidhnim gjithmonë kumbullat në oborrin me avlli të shembur dhe ai dilte e na shante dhe na vihej pas me gurë me një agresivitet të pabesueshëm. Qeshnim ne tek largoheshim, por dhëmbët ama i kishim të mpirë nga kumbullat e tij të tharta…
Eshtë prishur shtëpia e poetit, që mua më ka mbetur në kujtesë, ashtu e zymtë e dritarembyllur, si ato kishat e vogla të shërbesave mortore në hyrje të varrezave.
Por si do të largohesha me fare pak fotografi! Nëse do t’i vendosja ngjitur me njëra-tjetrën aty mbi tryezën ku shkruaj, a do të mund ta ringjallja nëpër to njëfarësoj atë mizanskenën gjithë fantazi marramendëse të fëmijërisë sime? Po, prit, prit, do ta hapja se s’bën portën e shtëpisë së fëmijërisë... Ajo kërkëriti kundërshtueshëm, por unë zgjata kokën në oborrin që, sigurisht, m’u duk i ngushtë. Ku je, o çun i vogël, që vije rrotull zbathur, mërmërita, sa do të dëshiroja të qeshja e të harbohesha edhe njëherë sa ty, unë i robëruari nga filozofia e vdekjes dhe e absurdit.
Kur mbërrin të pesëdhjetat…
22 Qershor 2009