Stërvitje për rritjen e sigurisë detare
"JECT 2009", stërvitja e përbashkët shqiptaro-amerikane që synon rritjen e sigurisë në hapësirën detare, ka hapur siparin dje në Vlorë. Mjete dhe efektiva të tri dikastereve dhe 5 strukturave ndërvepruese shqiptare dhe specialistë të forcave ushtarake të SHBA-së, kanë marrë pjesë dje në një stërvitje të përbashkët ndërinstitucionale. Pjesë e stërvitjes ka qenë simulimi i rastit të një anijeje, ku dyshohej se ndodheshin elementë kriminalë dhe transportonin lëndë narkotike, që hyjnë në hapësirën detare shqiptare. Operacioni parashikonte mbajtjen nën vëzhgim të këtij mjeti, angazhimin e 2 motovedetave të rojës bregdetare dhe një helikopteri të Forcave të Armatosura, të cilat afrohen pranë mjetit lundrues të dyshimtë. Efektivat e repartit RENEA dhe të Batalionit Special të Ministrisë së Mbrojtjes, përmes një prej motovedetave, janë afruar pranë anijes së dyshimtë dhe kanë hipur në bordin e saj, duke neutralizuar gradualisht të gjithë elementët që ndodheshin në të, përmes veprimeve të një shkalle të lartë vështirësie, të mbështetur edhe nga specialistë amerikanë, pjesëmarrës në këtë demonstrim praktik. Në operacion janë përfshirë edhe strukturat e Policisë së Kufirit, Antikontrabandës, Repartit Delta, ndërkohë që më pas mjeti është shoqëruar për në portin më të afërt, i vëzhguar nga një motovedetë tjetër dhe helikopteri që kryen demonstrime të hapura.
Në këtë operacion, morën pjesë 70 efektiva të Ministrisë së Brendshme, Mbrojtjes dhe Ministrisë së Financave, pjesëtarë të 5 strukturave të këtyre dikastereve, si edhe specialistë amerikanë të Forcave Speciale të Ushtrisë së SHBA-së, që ndodhen prej më shumë se 3 javësh në vendin tonë.
Në këtë operacion, morën pjesë 70 efektiva të Ministrisë së Brendshme, Mbrojtjes dhe Ministrisë së Financave, pjesëtarë të 5 strukturave të këtyre dikastereve, si edhe specialistë amerikanë të Forcave Speciale të Ushtrisë së SHBA-së, që ndodhen prej më shumë se 3 javësh në vendin tonë.