"Deri në 2010-ën asfaltojmë rrugët e bregdetit"
Kryeministri Sali Berisha premtoi dje se brenda vitit 2010 do të asfaltohen të gjitha rrugët që të çojnë drejt bregdetit. Kjo deklaratë e kreut të qeverisë është bërë në Lezhë, ku Berisha inauguroi shtrimin e rrugës Tale-Lezhë, me gjatësi rreth 10 kilometra dhe që është realizuar me investimet e buxhetit të shtetit. "Ne, tha Berisha, jemi angazhuar të kompletojmë me shpejtësi të gjithë infrastrukturën e ultësirës bregdetare dhe t‘u kthehemi edhe zonave malore, në mënyrë që edhe atje të ecim drejt zhvillimit të potencialeve që ato kanë, drejt zhvillimit të turizmit". Kryeministri Berisha e konsideroi ndërtimin e kësaj rruge si shumë të rëndësishëm në rrjetin infrastrukturor në vend, i cili synon ta kthejë kombin drejt detit. "Kjo është një nga drejtimet më kryesore të qeverisë. Në këtë mënyrë ne nxisim edhe njëherë zhvillimin e kombit në brigjet e detit. E gjithë përpjekja jonë është përpjekje për ta kthyer kombin për së mbari, dhe për së mbari është kombi që shikon nga deti", është shprehur Berisha. Gjatë këtij inaugurimi, kreu i qeverisë ka vënë theksin në realizimin e projekteve të mëdha dhe të rëndësishme në infrastrukturë. Sipas Kryeministrit, rruga është jashtëzakonisht e rëndësishme për infrastrukturën, e cila synon ta kthejë kombin drejt detit. "Ky është një nga drejtimet më kryesore të qeverisë sime, tha ai. Ne do të bëjmë çdo përpjekje që qytetarët shqiptarë të kthejnë sytë nga deti, të prekin detin, të ndjehen sa më pranë tij. Këtë vit, në kronika të përsëritura televizive kam parë me kënaqësi se plazhi juaj ka qenë më i populluar se asnjëherë tjetër. Ju garantoj se vitin që vjen, plazhi i Tales do të jetë një nga më të kërkuarit, një nga më të preferuarit, sepse i ka të gjitha bukuritë, ka të gjitha kushtet, ka një rërë të mrekullueshme, ka detin ndër më të pastrit dhe ka mbështetjen për furnizim ndër më të shkëlqyerat", konstatoi Berisha. Ai nënvizoi se në këtë mënyrë ne nxisim edhe njëherë zhvillimin e kombit në brigjet e detit. E gjithë përpjekja jonë, tha ai, është përpjekje për ta kthyer kombin për së mbari, dhe për së mbari është kombi që shikon nga deti. Berisha theksoi se në ditët në vazhdim ai do të inaugurojë rrugën Mamurras-Patok, unazën e qytetit të Laçit dhe fillimin e punimeve për stadiumin. Ai do të inaugurojë rrugën e Patokut, 2 lotet e Rrugës së Arbrit, që zbresin deri në Klos etj. "Nga Velipoja deri në Ksamil, brenda vitit 2010 nuk do të ketë rrugë dhe rrugicë të paasfaltuar që të çon drejt detit", konstatoi Kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë ka dhënë sigurinë e tij se qeveria është tërësisht e angazhuar të kompletojë me shpejtësi të gjithë infrastrukturën e ultësirës bregdetare dhe t‘u kthehet edhe zonave malore, në mënyrë që edhe atje të ecet drejt zhvillimit të potencialeve që ato kanë, drejt zhvillimit të turizmit. Gjithashtu Berisha ka garantuar se 4 vitet e ardhshme do të jenë vitet e ndërtimit të ujësjellësve dhe të garantimit të ujit të pijshëm 24 orë. Do të jenë gjithashtu vitet e ndërtimit të një sistemi modern ujitjeje, ndër më bashkëkohorët, në mënyrë që fermat shqiptare të jenë konkurruese dhe të qëndrojnë denjësisht krahas fermave më të zhvilluara europiane.