E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stilet e reja të flokëve që sjellin yjet e Hollivudit



Zgjatjet e dukshme, kaçurrelat e gjata që “nguliten” në sy dhe “kosheret” e flokëve të ndërthurura janë vetëm disa nga thyerjet e rregullave për flokët. Flokët me nuanca natyrale, të prera në mënyrë simetrike, sikurse ato të Xhenifer Anistonit në serinë “Friends”, ishte stili i flokëve më i kërkuar gjatë viteve ‘90. Mirëpo, në këtë mijëvjeçar të ri, femrat po i thyejnë të gjitha rregullat e stileve të flokëve.
Stilet
Edhe pse duken të relaksuara, stilet e flokëve të yjeve të Hollivudit, të cilat i imitojnë të gjitha femrat e thjeshta, prapë janë vepër e stilistëve superiorë. Kështu, për flokët e aktoreve nga seria “Gossip Girls” kujdeset një ekip i tërë i stilistëve, ndërsa çdo veprim të tyre e aplikojnë miliona adoleshente nga mbarë bota. Bëhet fjalë për stile flokësh të thjeshta “gossip”, të cilat bazohen në flokë gjysmë të gjata të shthurura, të thjeshta për t’i formësuar, sepse nevojitet vetëm pakës shkumë apo dyllë për volum dhe tharja e flokëve me kokën poshtë. Stili “lob” zëvendëson stilin “bob”. Për dallim nga stili “bob”, i cili shtrohet deri te niveli i mjekrës, stili “lob” prek nofullën. Flokët në të gjitha skajet janë me gjatësi të njëjtë, ndërsa janë të drejta ose paksa të shthurura. Këtë stil e bartin Guinet Paltrou dhe Eva Longoria.
Kombinimi i ngjyrave
Këngëtarja dhe aktorja amerikane Hilari Daf, flokët i ngjyros me kombinimin e kaçurrelave me nuanca ngjyrë kafe dhe të verdha, të cilat, edhe pse të stilizuara me kujdes, duken si të shprishura. Pasi në të kaluarën ka qenë bionde e plotë, kjo pamje natyrale është ideale për “pushimin” e rrënjëve nga kimikatet e forta dhe trajtimet për zbardhje.
Stilin “gossip” e duan të gjitha moshat. Aktoret e serisë për adoleshente “Gossip Girls” janë sinonim i pamjes seksi për vajzat e reja, sipas shembullit japonez: uniformat e shkollës në kombinim me mikrofunde, flokë paksa të shprishura, të lidhura me marama dhe kopsa flokësh. Stili “gossipy” e ka marrë emrin sipas kësaj serie. Edhe pse shumë mendojnë se pop-mbretëresha Madona nuk ka kohë për stilist flokësh, prapë publiku e ka kuptuar se rritjet e zeza janë si pasojë e trendit dhe jo moskujdesit. Sikurse edhe “heroin chic”, me të cilin ajo kishte shokuar gjatë viteve ‘90 me pamjen dhe grimin e saj të zbehtë, edhe stili i ri i Madonës është një trend i ri, me të cilin ajo dëshiron të tërheqë vëmendjen.
Flokët e yjeve
T’i imitosh nuk është e vështirë. Parukierët e tyre rrëfejnë sekretet e realizimit të krehjeve dhe ngjyrave të veçanta të flokëve të Angelina Jolie, Gisele Bündchen apo Jennifer Lopez. Këshillues më të mirë look-u nuk mund të kishit fatin të takonit. Shembujt i keni.
Të çrregullta si Sarah Jessica Parker
Divja e “Sex and the city” ka flokë me onde të egra. Tani ka krijuar një krehje më moderne. Sekreti: hair stilisti i saj, Serge Normant, ka studiuar një rrugë të mesme mes kaçurrelave dhe rricave të shkrifëta. Mund t’i realizoni në dy mënyra. Nëse keni flokë të çrregullt, thajini më parë me tharëse dhe me një furçë gjysmë rrumbullake për të krijuar format që rregullohen në fund me mashë. Formojini kaçurrelat me gjerësi të ndryshme për të pasur një look sa më casual dhe të shmangni ondet perfekte. Kush ka flokë kaçurrela, duhet t’i thajë me difuzor, t’i fiksojë ondet me karfica derisa të thahen dhe më pas të kalohen në mashë. Në të dy rastet, për një rezultat sa më perfekt, përdorni shkumën. Mbi flokët e thatë mund të përdoren një llak që i lë ondet elastike dhe të rrjedhshme.
Onde si të Gisele Bündchen
Ondet e valëzuara të top modeles braziliane duken si të bëra me qëllimin për të tërhequr vëmendjen mbi trupin e saj perfekt. Sekreti: sensuale, të egra dhe të rregullta në të njëjtën kohë, ondet e saj janë të rrjedhshme, të përdredhura, falë lëvizjes së ndryshme të gjatësisë dhe majës”, - ka thënë parukieri i saj, Harry Josh. Si krijohen? Me pjastër. Ajo duhet përdorur duke lënë të lira majat, që ashtu siç shihet në foto ngelen të çlirshme, duke rritur butësinë. Nëse keni flokë të drejtë, duhet të vendosni bigudina dhe, pasi t’i keni hequr, mos përdorni krehër, por majat e gishtërinjve. Për t’i bërë të mëndafshtë si të Bündchen, tamponojini me lëngun e farave të linit.
Kaçurrela si Beyoncé
Sipas hair stylistes së saj, Kimberly Kimble, sekreti i kaçurrelave spektakolare të këngëtares qëndron në faktin se janë elastikë, pa humbur volum. Për të krijuar këtë efekt, mos i thani flokët me tharëse, e cila i kreshpëron, por me difuzor, duke i lënë pak të lagur për një rezultat sa më natyral, që pastaj mund të përmirësohet duke i masazhuar me vajra e lëngje që lejojnë formimin e një kaçurreli, i cili ndjek një lëvizje të rrjedhshme nga rrënja tek maja. Shmangeni këtë look nëse nuk keni flokë kaçurrela. Permanenti e dëmton flokun, sepse shkatërron lidhjet mes aminoacideve të fijes, e cila humbet kështu 50 për qind të rezistencës.
Brune si Angelina Jolie
Angelina është prova që vërteton se jo vetëm biondet mund të jenë seks-bomba. Versioni platin stononte me linjat e saj aq të dukshme dhe nuk ia jepte kurrë pamjen që i jepnin flokët e errët. Tashmë, flokët e saj kanë një ton gështenjë të ngrohtë, që reflekton të gjithë dritën e syve të saj të kaltër. Ja edhe sekreti i zbuluar nga hair stilisti i saj, Gibson: “Bëhen disa fije shumë të holla një ton më të çelët sesa ngjyra natyrale e bazës në zonat që kornizojnë fytyrën, për t’i dhënë më shumë dritë. Goditjet bëhen vetëm në zonën e rrënjës, për të shmangur shpëlarjen e mëvonshme”. Këshilla e fundit: nëse keni flokë të hollë, si të sajët, shmangni krehjen super të drejtë dhe jepuni pak lëvizje në rrënjë dhe gjatësi.
Gështenjë si Jennifer Lopez
Gështenja e bukuroshes Jennifer Lopez ka një nuancë speciale si mjaltë i artë. Perfekte për lëkurën e saj të errët dhe sytë gështenjë. “Sekreti qëndron te fijet bionde, jo shumë të ndezura e as të zbehta, të cilat bëhen më të gjata përpara për të kornizuar fytyrën, më të holla e më të rralla mbrapa”, - tregon koloristja e saj Rita Hazan. Nëse ju pëlqen ky look, ideal për flokët gështenjë, ju këshillojmë t’i thani në mënyrë të çrregullt, që të kenë një pamje homogjene. Mund t’i krihni me një furçë mesatare, nëse ju pëlqejnë me onde ose të përdorni pjastrën, duke e mbajtur në pozicion vertikal. Kështu do të keni flokë paksa të pakrehur, por të rregullt.
Të kuqe si Julianne Moore
Të imitosh pamjen e aktores nuk është e thjeshtë, sepse e kuqja është një ngjyrë që u shkon atyre që kanë lëkurë të tejdukshme dhe sy të qartë. Nga ana tjetër, edhe tek ajo sekreti ekziston. E zbulon Harry Josh, koloristi i saj: “Qartësohen me fije në ngjyrë ari, mat, shumë të holla”. Këshillohet ngjyra e kuqe për flokët e errëta dhe prerjet e gjata ose të shkurtra, jo në gjatësi mesatare. Nëse ju pëlqen versioni i gjatë dhe i shkallëzuar i aktores, kujtohuni që herë pas here të kaloni gërshërën për të shmangur fijet e dyfishta. Përveçse janë joestetike, ky është edhe sinjali se është dobësuar kutikula. Nëse nuk priten, dëmi zbret deri në fije dhe kështu flokët këputen.

27 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›